Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja parlamentare

Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja parlamentare

Opozita kosovare kërkon zgjedhje të reja parlamentare dhe një qeveri legjitime për të vazhduar dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa gjithashtu kërkon nga presidenti i vendit Hashim Thaci që të heq dorë nga orientimi i tij dhe diskursi politik për korrigjim të kufijve.

“LDK nuk do të pajtohet ne asnjë mënyrë që të dialogohet për territorin, sepse kjo qon në rihapje të shtetësisë. Eshtë përgjegjësi e koalicionit qeverisës që të gjej zgjidhje, në mënyrë që të ruhet partneriteti me SHBA-të, si aleatin tonë strategjik. Gjithashtu para dialogut të shkohet në zgjedhje, për të siguruar legjitimitetin”, deklaroi Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës gjithashtu është shprehur e gatshme që të bëhet pjesë e një qeverie gjithpërfshirëse  e cila do t’i jepte legjitimitet dhe forcë politike Kosovës në dialogun me Serbinë.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka theksuar se partia të cilës i takon ai e pranon si opsion qeverinë gjithëpërfshirëse, por më e preferuar mbetet shkuarja në zgjedhje të reja parlamentare.

Ditëve të fundit janë shtuar kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për një qeveri gjithpërfshirëse, ose një unitet mes partive politike për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë ./Ibna/