Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja parlamentare

Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja parlamentare
Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkon rrëzimin e qeverisë e cila drejtohet nga kryeministri, Ramush Haradinaj.
Thirrjet e tyre për zgjedhje të reja janë riaktualizuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit për bisedimet me Serbine.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, tha të enjten se ligji për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Kosovës në Procesin e Dialogut me Serbinë, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti thase  se Qeveria dhe Delegacioni Shtetëror duhet të dorëhiqen dhe vendi të shkojë në zgjedhje nga ku do të dalin institucione që ndërmarrin veprime në përputhje me ligjin.
Edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu tha se, zgjidhja e vetme pas këtij vendimi të Kushtetueses mbeten zgjedhjet e parakohshme.
“Në këto rrethana kur kemi një president që e ka udhëhequr në mënyrë antikushtetuese dialogun, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet në Republikën e Kosovës”, tha ajo.
Haxhiu tha po ashtu se vendimi në fjalë do të jetë vetëm shtytje më e madhe që mocioni i mosbesimit të dërgohet në Kuvend.
“Delegacioni qeveritar për bisedimet me Serbinë nuk mund të qëndrojë tutje sepse është antikushtetuese. Ajo çka presim ne tanimë janë zgjedhjet, ne tani jemi duke mbledhur edhe nënshkrimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj”, tha ajo.
Krijimi i delegacionit të Kosovës për bisedimet me Serbinë dhe platforma për këto bisedime, pasoi debatet e ashpra që pasuan idetë e hedhura verën e vitit të kaluar për prekje kufijsh si rrugë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Miratimi i platformës e cila siç thuhet, synon të caktojë vijat e kuqe të Kosovës në bisedime dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura me Serbinë për të siguruar njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe themelimi i delegacionit shtetëror, qenë vlerësuar një hap me rëndësi për procesin nga partitë politike në pushtet në Kosovë. Por, opozita kishte vlerësuar se veprimet janë kundërkushtetuese.
Beogradi e kishte vlerësuar miratimin e platformës si “gozhdën e fundit në arkivolin e bisedimeve”./Ibna/