Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja, jo qeveri teknike

Kosovë: Opozita kërkon zgjedhje të reja, jo qeveri teknike

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të caktohet sa më shpejt data e zgjedhje të reja dhe ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në asnjë mbledhje ku do të diskutohet mundësia e mandatarit të radhës.

Në të kundërtën kjo parti opozitare ka theksuar se javën e ardhshme do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin e Kosovës, teksa i bën me dije kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj se ai nuk mund të merr asnjë vendim madhor, por formalisht deri në zgjedhje të reja të kryejë funksionin e tij.

Shefi i deputetëve të VV-së, Glauk Konjufca përmes një konference për media ka kërkuar që sa më shpejt të caktohet data e zgjedhjeve të reja.

Konjufca u shpreh optimist për një koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe u shpreh kategorik kundër një Qeverie teknike, pavarësisht presionit ndërkombëtar.

“Nëse këtë javë nuk bëhet e ditur caktimi i datës së zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në ato mbledhje ku do të diskutohet mandatari. Nëse luhet kjo lojë nga ana e presidentit ne në javën e ardhshme do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për të shpërbërë Kuvendin”, tha ai./Ibna/