Kosovë: Opozita kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit

Kosovë: Opozita kërkon dorëheqjen e kryeparlamentarit

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, ka hedhur poshtë çdo mundësi për përfshirje të tij në ndonjë rast të krimit të organizuar. Ai është zotuar se do të japë dorëheqje nëse një gjë e tillë del e vërtetë.

Ai i bëri këto komente në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë, pas lakimit të emrit të tij në një video-regjistrim të publikuar në mediat vendase, ku shihen disa persona te numëronin para që dyshohen të jenë pjesë e mashtrimeve dhe krimit të organizuar.

Videoregjistrimi u publikua pas një operacioni të policisë së Kosovës në fillim të kësaj jave për arrestimin e një grupi të dyshuar për vepra kriminale dhe fajde.

Sipas policisë, personat e arrestuar nën dyshimet pë veprat penale ‘fajde’, ‘detyrim’ dhe ‘mashtrim’, në mënyrë të paligjshme kanë përfituar mbi 2 milionë euro.

Videoja e publikuar ngjalli reagime ndërsa lëvizja Vetëvendosje kërkoi dorëheqjen e Kadri Veselit në mënyrë që t’u hapet rrugë hetimeve.

Në një komunikatë të kësaj lëvizjeje thuhet se “e gjithë Kosova, e gjithë bota e di se po të vërtetohet që Veseli është pjesë e rastit kriminal, nuk shkon në dorëheqje por drejt e në burg. Dorëheqja është akt moral, që bëhet për t’u hapur rrugë hetimeve. Pra, kur emrin ta përmendin si kërcënim për fajde, duhet të jetë dorëheqja para hetimeve, e jo hetimet para dorëheqjes”, thuhet në komunikatë.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar dorëheqjen e Veseli dhe angazhimin e plotë të Prokurorisë për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar se nuk mund ta komentoj këtë rastë pa patur një akvendim nga drejtësia kosovare. /Ibna/