Kosovë: Mungesë uniteti për taksat ndaj produkteve serbe

Kosovë: Mungesë uniteti për taksat ndaj produkteve serbe
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të mërkurën se qëndrimet jo unike të udhëheqësve të Kosovës rreth tarifave ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Beogradin, e kanë bërë Serbinë më të fortë dhe i kanë dhënë mundësi të kushtëzojë kthimin në tryezën e bisedimeve.
Ai i bëri këto komente duke reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhënë VoA, në të cilën ai tha se ka dallime konceptuale me kryeministrin Haradinaj rreth tarifave dhe bisedimeve.
Veseli ka lënë të kuptohet se duhet të dëgjohen SHBA-të dhe BE-ja për heqjen e tarifave ndaj Serbisë dhe rifillimin e dialogut për normalizimin e raporteve.
“Pozicioni im është shumë i qartë që nga fillimi, është transparent: Kosova ka të drejtën legjitime të marrë vendimet të cilat janë qoftë tarifa, qoftë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial e institucional. Por duhet ta dimë, i gjithë populli ynë e di: populizmi është një opium që krijon një favor në një moment të caktuar për politikanë të caktuar. Për periudhën afatgjatë ne duhet të jemi të mençur dhe nuk kemi rrugëtim tjetër pa SHBA dhe Bashkimin Evropian, nuk mund të jemi të suksesshëm në qëllimin që kemi”, është shprehur Veseli.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Haradinaj, duke theksuar se me vendosjes e taksën nuk është kundër SHBA-ve, por Serbisë e cila ka lobuar kundër Kosovës.
“E pash intervistën, është kualifikim i paqëndrueshëm, pra, nuk kam qasje me Amerikën si me Serbinë. Me Serbinë njëherë jam nda në luftë, kam qenë krah për krah me Amerikën. Kemi dallime në tema me Serbinë të shumta, ma pak me Amerikën. Kemi dallim në një temë; suspendimin e taksës. Sikur kryetari Veseli e të tjerët të kishin qenë unik Amerika ndoshta do të na kishte përkrahur më shumë, po kjo dëshirë me fol ndryshe po na bën dëm si Kosovë e na ka lënë ku jemi sot”, tha të mërkurën kryeministri Haradinaj.
Ai hodhi poshtë çdo mundësi që këmbëngulja për tarifat të jetë populizëm.
“Fatkeqësisht besnikëria ndaj atdheut ndaj temave të interesit nacional nuk duhet me u kalkulu kështu. Populizëm ose miqësi me Amerikën për Veselin e të tjerët ka qenë kur ishin momente të tjera, u pa se nuk e kemi fort shqetësim qasjen ndaj Amerikës se kemi fol me një gjuhë tjetër, ju e dini për cilën temë e kam fjalën. Ndërsa, kur janë temat e interesit nacional, me i kërku Kosovës me e suspendu taksën pra me ja dhanë tregun shtetit që e mohon ekzistencën tonë është e padrejtë”, theksoi Haradinaj .
Qeveria e Kosovës u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave nga Serbia në nëntor të vitit të kaluar në shenjë kundërvënieje ndaj qasjes së Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës.
Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve të pezulluara me heqjen e këtyre tarifave, ndërsa Prishtina kërkon që bisedimet të mos kushtëzohen./Ibna/