Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje përmes protestave kërkon largimin e kryeprokurorit

Kosovë: Lëvizja Vetëvendosje përmes protestave kërkon largimin e kryeprokurorit
Kosova vazhdon të përballet me korrupsion të lartë, ndërsa institucionet kompetente nuk janë duhet e ngritur akuza për qeveritarët e korruptuar dhe raste të tjera.
Kështu vlerëson Lëvizja Vetëvendosje e cila sot ka ftuar qytetarët që të protestojnë kundër kryeprokurotit të Kosovës, Aleksandër Lumezit.
Nënkrytari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjuvca thotë se, kryeprokurori duhet të largohet sepse falë tij kriminelët janë të lirë dhe madje të fuqishëm.
Ardhja e Aleksandër Lumezit në krye të prokurorisë paska qenë për ta centralizuar dhe monopolizuar gjithë praktikën e hetimit të korrupsionit të profilit të lartë, thekson Konjuvca.
Sipas tij, Kryeprokurori që ardhja në pushtet vallëzon tango me pushtetin.
Ndërkaq, anëtarja e kryesisë dhe deputetja e Lëvizjes, Albulena Haxhiu thotë se në këto 4 vite, gjatë kohës sa Lumezi ishte në krye të prokurorisë, skandalet e korrupsionit në nivelet e larta vetëm sa janë rritur dhe në anën tjetër nuk ka pasur veprime konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit
Ajo po ashtu përmend rastet më flagrante të krimit dhe korrupsionit për të cilat kërkoi përgjigje nga kryeprokurori: vendimi për rritjen e pagës nga Qeveria, favorizimet e njerëzve të kryeministrit, 53 milionë eurot për Bechtel-Enkan, kontrata e dëmshme e Contour-Global, keqpërdorimet me subvencione në bujqësi, shpenzimet e parasë publike për librin personal të Hashim Thaccit, vjedhja e qytetarëve me fatura të rrymës dhe shumë raste të tjera.
Sipas organizatave që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, del se mbi 60% e rasteve të profileve të larta, prokuroria ose i hedh poshtë kallëzimet penale, ose i pushon hetimet tha ajo duke shtuar se prokuroria duket e pafuqishme përballë kriminelëve e të korruptuarve në këtë vend.
Ambasadorët perëndimorë në Kosovë kanë shtuar kritikat kohëve të fundit ndaj institucioneve të vendit për emërimet në poste të ndryshme dhe për mungesë të rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Raporti i organizatës, Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e ka radhitur Kosovën në vendin e 93-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 85-ta.
Sipas raporteve ndërkombëtare, sfidë për Kosovën në luftimin kundër korrupsionit mbeten transparenca e pamjaftueshme, institucionet e dobëta e sundimi i dobët i ligjit dhe hapësira e pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve./Ibna/