Kosova vazhdon të përballet me korrupsion të lartë

Kosova vazhdon të përballet me korrupsion të lartë
Kosova vazhdon të përballet me korrupsion të lartë dhe pamundësisë së zhvillimit të mekanizmave për luftimin e tij.
Raportet e organizatave ndërkombëtare theksojnë se korrupsioni i nivelit të lartë minon besimin në institucionet e shtetit.
Shefi i Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Kosovë, Jan Brathu ka theksuar se institucionet nuk kanë bërë përpjekje të mjaftueshme për të ndjekur rastet për abuzim me pozitën zyrtare.
Reagime për nivelin e korrupsionit të lartë janë adresuar edhe nga partitë opozitare në Prishtinë.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti thotë se, është i domosdoshëm ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale për ta luftuar suksesshëm krimin edhe korrupsionin.
Sipas tij, shumica e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me korrupsionin zhagiten dhe nuk marrin epilon e duhur.
Ai thotë se probleme në këtë drejtim është edhe dëshmitarët të cilët refuzojnë të flasin në sallat e gjyqit.
“Problem janë dëshmitarët, të cilët, dorën në zemër, flasin kafiterive, por jo edhe në salla gjyqi.Mandej, deklaratat gjatë hetimeve ndryshohen pa pasoja në gjyq”, thekson Kurti duke ftuar autoritetet që të investojnë më shumë në rritjen e kapaciteteve për ta luftuar këtë fenomen.
“Nuk  mjafton vetëm dija juridike, por nevojitet edhe ajo financiare.Pra, nevojitet arsimim shtesë për t’u hetuar krimi i lartë financiar, sepse korrupsioni duhet të luftohet më së shumti, më së pari, aty ku është më i madhi”, shprehet ai.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2018, të publikuar nga organizata Transparency Internacional, thuhet se Kosova ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin paraprak, duke u radhitur në vendin e 93.
Ndërkaq, në raportin e fundit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në botë, në pjesën për Kosovën janë nxjerr në pah disa probleme, të tilla si: “kthimin e detyrueshëm të refugjatëve ose azilkërkuesve, korrupsionin endemik në qeveri, dhunën dhe kërcënimet e dhunshme kundër gazetarëve dhe sulmet kundër anëtarëve të pakicave etnike ose komuniteteve të tjera të margjinalizuara”./Ibna/