Kosova synon të aënëtarësohet në Interpol, reagon Serbia

Kosova synon të aënëtarësohet në Interpol, reagon Serbia
Kosova ka parashtruar sërish kërkesën për anëtarësim në INTERPOL.
Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili.
Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, shpreson që kësaj rradhe Serbia të mos loboj kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Urojmë që edhe Serbia t’i thërrasë zërit të arsyes dhe të mos veprojë me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë”, është shprehur Pacolli.
Por, homologu i tij serb, Ivica Dacic ka theksuar se, Kosova as këtë vit nuk do të mund të anëtarësohet në INTERPOL.
Sipas tij, vendimi i Komitetit Ekzekutiv, i cili ia lejoi Kosovës që të dorëzojë dosjen e Policisë për votim në Asamblenë e Përgjithshme është thjeshtë vetëm një çështje teknike.
Edhe ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq tha dje se Serbia do të vazhdojë një luftë të vendosur diplomatike për të parandaluar Kosovën të bëhet pjesë e Interpolit.
Një viti më parë, Kosova nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u bërë anëtare e organizatës ndërkombëtare të policisë.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit,që u mbajtë në Dubai, kërkesa e saj u hodh dy herë radhazi në votim.
Herën e parë në votimin e hapur, nga 156 vende që morën pjesë në votim, 76 mbështetën Kosovën, 56 ishin kundër ndërsa 22 abstenuan.
Në raundin e dytë të votimit që ishte i fshehtë, Kosova mori mbështetjen e 68 vendeve, kundër ishin 51, ndërsa abstenuan 16 nga 135 vendet sa morën pjesë në votim.
Zyrtarët serbë që ndodhen në Dubai e cilësuan fitore dështimin e Kosovës, kundër anëtarësimit të së cilës ata kishin shtuar përpjekjet tashmë një kohë të gjatë.
Pas kësaj, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendos taksa 100 për  qind për mallrat serbe.
Që nga kjo periudhë është bllokuar dialogu për normalizimin e raporteve mes dy vendeve. /Ibna/