Kosova shënon 11 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës

Kosova shënon 11 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës
11 vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend, e cila hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008
Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj Kushtetute rrjedh nga plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë (neni 8). Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në këtë 11 vjetor tha se, Kushtetuta e është mburojë e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe kulm i një shtëpie të përbashkët, të shqiptarëve dhe komuniteteve joshumicë.
“Qytetarët e Kosovës, kanë shkruar kapitujt e një Kushtetute moderne, me forcën e vullnetit të shprehur lirshëm, me të cilën normojnë të drejtat dhe obligimet në barazi.
Njëmbëdhjetë vjet më parë, përmes aktit më të lartë juridik-politik, u vulos Kosova si shtet i pavarur e sovran, një demokraci sovrane e shumë-etnike, e re në moshë, liberale në ide dhe Perëndimore në frymën e saj”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se 9 prilli është një prej ditëve më të rëndësishme për Kosovën.
Në 11-vjetorin e ratifikimi të Kushtetutës së Kosovës, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit.
Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi maksimale organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal të ish-Jugosllavisë si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës janë ndarë shtatë shtete.
Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit,  shpalli deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.
Prej vitit 2001 deri para gjashtë viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë./Ibna/