Kosova shënoi përvjetorin e njëzetë të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

Kosova shënoi përvjetorin e njëzetë të bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë

Të dielën Kosova shënoi përvjetorin e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe, të cilat edhe sollën fundit të luftës gati dyvjeçare me Serbinë

Fushata e bombardimeve nga ajri që zgjati 78 ditë, në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve. Mbi 10 mijë veta u vranë, mbi 800 mijë u ndoqën nga Kosova, ndërsa rreth 5 mijë të tjerë në fund të luftës llogariteshin si të zhdukur.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja nënshkroi marrëveshjen me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova, ndërsa dy ditë më vonë, trupat paqeruajtëse të KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës por edhe sundimit të Beogradit.

Paqeruajtësit e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara u përballën me pasojat e rënda të luftës, varrezat masive dhe shkatërrimet në shkallë të gjerë.

Njëzet vjet më vonë mbi 4 mijë e 500 trupa të NATO-s kujdesen për sigurinë në Kosovë, ndryshe nga 50 mijë sa ishin në vitin 1999.

Shënimi i 24 marsit në Kosovë bëhet sipas përkatësisë etnike. Institucionet e Kosovës e vlerësojnë si një ditë me rëndësi vendimtare për historinë e vendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të dielën se beteja e 24 marsit të vitit 1998 shënoi “një kthesë për liri dhe se madhështi kësaj date i dha intervenimi i NATO-s, 20 vite më parë. Sot kujtojmë me respektë e vlerësojmë lartë mbështetjen ndërkombëtare, të cilën duhet ta ruajmë si sytë e ballit”, tha presidenti Thaçi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në të cilën thekson se “populli i Kosovës do të jetë gjithmonë falënderues për kontributin e NATO-s për shpëtimin e mijëra jetëve dhe ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë”./Ibna/