Kosova reagon ndaj kërcënimeve të Serbisë për Mitrovicën e Veriut

Kosova reagon ndaj kërcënimeve të Serbisë për Mitrovicën e Veriut
Bisedimet për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë janë ndërprerë për më shumë se tre muaj. Taksa një qind për qind e vendosur ndaj produkteve serbe ka ashpërsuar retorikën e lidershipit serb.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic po i sheh si të rrezikshme politikat qeveritare në Prishtinë ndaj serbëve në Kosovë.
Ai ka kërcënuar NATO me deklaratën se se Serbia do të ndërhyjë në Mitrovicën Veriore nëse sulmohen serbët.
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova do t’i kundërpërgjigjet Serbisë në kërcënimet e saj.
“Jam komandant suprem i FSK-së. Kosova do t’i përgjigjet drejtpërdrejt çdo kërcënimi të Serbisë. Do t’i përgjigjet me ushtri dhe polici. Si një komb. Nëse ajo nuk ndalet me retorikën luftënxitëse”, ka thënë Thaçi.
“Do të jemi të pakompromis për mbrojtjen e integritetit dhe pavarësisë sonë.Ndarja e Kosovës është ide e vjetër serbe. Nuk do të ndodhë. Jam i qartë”.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se, kërcënimet e Serbisë janë boshe.
“Çdo dite dëgjojmë kërcënime nga Serbia, siç është rasti i fundit me kërcënimin e ministrit të Jashtëm serb për ndërhyrje në veri të Kosovës. Ata e dine se Kosova tani e ka ushtrinë e vet, dhe se KFOR është ende në Kosove. Prandaj, edhe ata e dinë se këto kërcënime janë boshe”, tha Hoti.
Ai shtoi se kjo gjuhë kërcënuese tregon se arritja e marrëveshjes në mes të dy vendeve është ende larg.
“Kjo gjuhë duhet të ndalet para çfarëdo dialogu. BE-ja duhet të reagojë”, tha Hoti.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, i ka quajtur si luftë speciale, deklarimet që po vijnë nga Serbia për ndërhyrje ushtarake në veri të Kosovës.
“Kjo është luftë speciale dezinformuese e Serbisë dhe është shumë agresive. Pretendimet se gjoja Kosova do të sulmojë qytetarët e vet janë absurditet dhe broçkulla të stilit të viteve të 1990-ta”, ka thënë Ramadani.
Ai thotë se janë të njëjtit udhëheqës në Serbi, të cilët kanë qenë në pushtet edhe gjatë viteve të 90-ta, vetëm se tash me role të ndryshme.
Në anën tjetër, bashkësia ndërkombëtare ka ftuar palët që të gjejnë rrugën për vazhdimin e dialogut deri në arritjen e marrëveshjes finale dhe paqësore. /Ibna/