Kosova ndalon me ligj lojërat e fatit

Kosova ndalon me ligj lojërat e fatit

Parlamenti i Kosovës miratoi të enjten me procedurë të përshpejtuar ligjin që ndalon lojërat e fatit për 10 vjetët e ardhshme.

Ligji u miratua pak kohë pasi që dy persona u vranë në dy kazino në Kosovë, gjatë plaçkitjeve të armatosura.
Gjithsej 69 deputetë votuan në favor të këtij ligji, i cili u kritikua nga një pjesë e ligjvënësve, që pohuan se një zhvillim i tillë do të nxisë veprimtaritë e tilla në rrugë të paligjshme.
Lojërat e tilla qenë shtuar shumë gjatë dhjetë viteve të shkuara dhe shoqatat e tyre thanë se ato punësonin 4 mijë veta, që tash do të mbeten të papunë.
Miratimi i ligjit u parapri nga miratimi i një rezolute të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën kërkohej pezullimi i veprimtarive të lojërave të fatit.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka deklaruar se vendimi për ndalimin e lojrave të fatit ka ardhur për faktin se të njëjtat janë përhapur në mënyrë masive duke shkaktuar probleme të mëdha qytetarëve.
Ai ka deklaruar si pasoj e këtyre lojrave ka pasur raste të shumta të krimit, vetëvrasje dhe probleme tjera familjare.
Ndalimi i kësaj veprimtarie është përkrahur nga numër i madhë i qytetarëve, të cilët në qytete të ndryshme kanë firmosur peticione.
Një avokat i njohur në Kosovë, Arianit Koçi, ka thënë se me ndalim të lojërave të fatit do të zhvillohet informaliteti.
Ai ka theksuar se më mbylljen e lojrave të fatit do të dëmtohet shumë investitorë të huaj të cilët kanë investuar në këtë veprimtari.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, akciza për aparatet e lojërave të fatit në Kosovë ka qenë e lartë dhe buxheti i shtetit brenda vitit ka inkasuar afër 20 milion euro nga kjo veprimtari. Ndërsa, 50 milionë euro llogaritet të jetë qarkullimi vjetor.   /Ibna/