Kosova me rezolutë që fajëson Serbinë për gjenocid

Kosova me rezolutë që fajëson Serbinë për gjenocid
Parlamenti i Kosovës ka nisur sot debatin për draft-rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku tha se Serbia ka pasur për synim zhdukjen e popullit të Kosovës dhe spastrimin etnik. Sipas tij, shteti serb po vazhdon të fsheh gjurmët e krimeve të kryera dhe do të tentojë “të shlyejë kujtesën” e shqiptarëve.
“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha Lushtaku.
Deputetja Flora Brovina, në seancën ku po flitet për gjenocidin serb në Kosovë, tha se argumenti më i mirë për këtë ditë është rezoluta.
“Gjenocidi nuk ka ndodhur për herë të parë ndaj popullit tonë. Ka ndodhur në Nish të Vranjës ku kanë jetuar shqiptarët, ku janë masakruar e dhunuar. Ky është vazhdim i terrorit. Rezolutës duhet shtuar disa fakte tjera, s’duhet harruar helmimi masiv”, tha ajo.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj ka thënë se partia e tij e mbështet në mënyrë unanime miratimin e Rezolutës për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
“Më lejoni që në emër të LDK-së t’i jap përkrahje kësaj projektrezolute. Duke renditur së pari konventat ndërkombëtare që janë miratuar për parandalimin e krimit dhe gjenocidit. Ajo çka na ka bashkuar për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vite ta sjellë një rezolutë të tillë”, ka thënë Zemaj.
Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se rezoluta u referohet të gjitha dokumenteve evropiane e më gjerë, që kanë të bëjnë më krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, e të tjera.
“Nuk ka asgjë perfekte, por teksti i rezolutës ka marr të gjithë shembujt e dokumenteve ndërkombëtare”, tha deputeti Kurteshi.
Bilall Sherifi, deputet i Nismës, ka thënë se rezoluta nuk është hapi i fundit, po i pari drejt ndërtimit të një rrëfimi të përbashkët se si quhet i tërë krimi që forcar serbe kanë kryer në Kosovë.
Kryeparlamentari, Kadri Veseli tha se, lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë, do të punojë drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare, duke theksuar synimin për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.
Pas shqyrtimit të propozim-rezolutës, Kuvendi në agjendë ka edhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, pastaj marrjen e vendimit për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit./Ibna/