Kosova i bën thirrje BE-së të mos i mbajë kosovarët e izoluar

Kosova i bën thirrje BE-së të mos i mbajë kosovarët e izoluar
Kosova sot shënon ditën e Evropës, por është vendi i vetëm në rajon që mund të lëvizë lirshëm drejtë shteteve anëtare të BE-së.
Në këtë ditë, lidershipi kosovar ka bërë thirrje shteteve anëtare të BE-së që t’i pranojnë të arriturat e Kosovës dhe mos t’i mbajnë qytetarët të izoluar.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se Kosova sot shënon Ditën e Evropës për shkak se është pjesë gjeografike, ideologjike, dhe identitare e familjes evropiane.
Haradinaj ka theksuar se institucionet kosovare kanë aspiratë të vetme integrimin e plotë në Bashkimin Evropian.
“I bëjmë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe institucioneve të BE-së, që të njohin dhe pranojnë të arriturat e Kosovës, dhe të mos vazhdojnë të mbajnë qytetarët e Kosovës edhe më tutje padrejtësisht të izoluar nga familja që i takojnë”, deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj.
Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaci ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova ka përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve të BE-së, por diskriminimi po vazhdon.
“Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane. Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë.
Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh presidenti kosovar.
Më 9 Maj të vitit 1950 ish ministri i jashtëm francez Robert Schuman shpalli për herë të parë idenë e tij të bashkimit të industrive të thëngjillit dhe çelikut në mes të Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Francës, gjë që dërgoi në themelimin e Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut. Ky ishte institucioni i parë i asaj që më vonë mori formën e Komunitetit Ekonomik Evropian, që evoluoi pastaj në Bashkimin Evropian.
Por kjo ditë e ka edhe një rëndësi tjetër, atë të fitores mbi fashizmin në Evropë. Është dita e kapitullimit përfundimtar të Rajhut Nazist, dhe dita e çlirimit të popujve të Evropës nga shtypja fashiste e militariste e Boshtit./Ibna/