Kosova gati marrëveshjen me Serbinë në Samitin e Parisit

Kosova gati marrëveshjen me Serbinë në Samitin e Parisit
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë më 1 korrik do të takohen në Paris. Ata janë ftuar nga presidenti i Francës, Emanuel Macron, ndërsa e pranishme do të jetë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Nga Kosova do të jenë të pranishëm kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaci dhe udhëheqësit e delegacionit për procesin e bisedimeve me Serbinë.
Agjencia e lajmeve Ibna mëson se pala kosovare tashmë është duke e  përgatitur draftë marrëveshjen, e cila do të negociohet  me Serbinë në këtë samit.
Marrëveshja parasheh njohjen reciproke mes dy vendeve, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetit territorial të Kosovës, bashkëpunimin ekonomik dhe heqjen e barrierave tregtare, themelimin e Asociacionit të komunave serbe në pajtim me ligjet kosovare, të drejta të garantuara për shqiptarët në tre komunat shqiptare në Jug të Serbisë, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja si dhe thellimin e bashkëpunimin dhe fqinjësisë së mirë në të gjitha fushat.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova i bën thirrje Serbisë për pajtim, me qëllim që qeverisja të fokusohet në mirëqenien e qytetarëve.
“Paqen e bëjnë të fuqishmit. Populli ynë po do të pajtohet me Serbinë. Presidenti Vuciq duhet ta njoh Kosovën me këta kufij. Ne duhet të fokusohemi në vende pune e në qeverisje më të mirë, në luftimin e korrupsionit në vendet tona, në mënyrë që brezave tjerë tua lëmë paqen, e jo luftën për territore e kufij. I bëjmë thirrje Serbisë për pajtim.”
Haradinaj ka thënë se nuk shkon në Paris pa një draftë marrëveshje e cila do të negiciohet me Serbinë me afate konkrete dhe jo përjetësishtë.
Në anën tjetër, pala serbe akoma nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.
Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Dacic, thotë se nuk është e sigurt se do të mbahet ky samit, në qoftë se autoritete në Kosovë nuk japin sinjale se do ta heqin taksën doganore ndaj mallrave serbe.
Diplomati serb është shprehur i gatshëm për një marrëveshje me kushtet e lartëpërmendura.
“Ne jemi të gatshëm për një kompromis, duam marrëveshje. Nëse pala tjetër nuk e dëshiron këtë, ne nuk mund të shkojmë kundër interesave kombëtare dhe shtetërore”, ka thënë tha Dacic./Ibna/