Kosova e shpall person non-grata punonjësin rus të UNMIK-ut

Kosova e shpall person non-grata punonjësin rus të UNMIK-ut
Qeveria e Kosovës e ka shpallur person “non-grata” (të padëshirueshëm) punonjësin rus të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK),Mikhail Krasnoshchenkov.
Kryeministri  i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot se ky vendim është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus, kundër rendit kushtetues të Kosovës.
 “Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin”, deklaroi kryeministri.
Shtetasi rus, Mikhail Krasnoshçekov, dhe një pjesëtar tjetër i UNMIK-ut,  kanë vendosur barrikada në rrugë, përmes së cilave është tentuar të pengohet Policia e Kosovës, teksa ka qenë duke realizuar një aksion policor për arrestimin e zyrtarëve policorë dhe qytetarëve të dyshuar për përfshirje në korrupsion dhe krim të organizuar.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës, ka kërkuar heqjen e imunitetit të shtetasit rus dhe punëtorit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë UNMIK).
Ndërkohë Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë përmes një komunikate për media, të enjten, tha se secila kërkesë për heqje të imunitetit do të dërgohet nga UNMIK-u në selinë e Kombeve të Bashkuara dhe do të trajtohet në përputhje me procedurat e OKB-së./Ibna/