Kosova drejtë zgjedhjeve të reja parlamentare

Kosova drejtë zgjedhjeve të reja parlamentare
Skena politike në Kosovë është tronditur pas dorëheqjes së papritur të kryeministrit, Ramush Haradinaj, i cili së bashku me një numër zyrtarësh të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të paraqiten gjatë kësaj jave në Hagë, për t’u intervistuar në Prokurorinë e Posaçme, që trajton pretendimet për krime gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj sot edhe formalisht dorëzon dorëheqjen tek presidenti i vendit, Hashim Thaci, i cili pritet të konsultoj partitë politike për datën e zgjedhjeve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha të shtunën se zgjedhjet tashmë janë të pashmangshme.
“Tashmë zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje, kurdo që ato të caktohen. Ajo që mund të diskutohet tanimë është vetëm koha kur ato do të mbahen”, ka deklaruar Veseli.
Edhe partitë opozitare, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë hedhur cdo mundësi që të përfshihen në ndonjë qeveri të re apo teknike, duke kërkuar që menjëherë të fillojnë konsultimet për kohën e zgjedhjeve.
Dorëheqja e kryeministrit Haradinaj i tha fund koalicionit ndërmjet PDK-së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuar së bashku në zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2017.
Qeveria Hararadinaj që nga fillimi ishte përballur me një numër të vogël të votave dhe mospajtimeve me partnerët e kolaicionit për taksën e vendosur ndaj mallrave serbeve dhe në përgjithësi procesit të bisedimeve me Serbinë.
Haradinaj kishte refuzuar thirrjet e diplomatëve dhe trysninë e bashkësisë ndërkombëtare për pezullimin e tarifave me të cilat Beogradi kushtëzon rifillimin e dialogut për arritjen e një marrëveshje finale.
Qeveria e drejtuar nga kryeministri Haradinaj njihet për suksese, por edhe për dështime. Si suksese të qeverisë Haradinaj llogariten: Ushtria e Kosovës, Ligji për Pagat, Ligjit për ndërmarrjen metalurgjike Trepca dhe disa vendime të rëndësishme në aspektin ekonomik.
Ndërkaq, analistët kanë vlerësuar se kjo qeveri ka dështuar në planin e politikës së jashtme si dhe në procesin eurointegrues. Gjatë kësaj periudhe Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në Interpol dhe në Këshillin e Evropës dhe në organizata tjera ndërkombëtare.
Në planin eurointegrues Kosova nuk ka arritur të avansoj, duke mbetur vendi i vetëm në rajon pa liberalizim të vizave. /Ibna/