
Kosova dhe Shqipëria synojnë ta heqin kufirin ndërmjet dy vendeve me qëllim lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave.
Presidenti kosovar Hashim Thaci tha se, në margjinat e Samitit të Brdo – Brijunit në Tiranë ka diskutuar me kryeministrin Rama për mundësinë e heqjes së tërësishme të kufirit Kosovë – Shqipëri si një model europian nën ombrellën e vlerave euro-atlantike.
“Askush nuk duhet t’i frikësohet komunikimit dhe integrimit kombëtar dhe një hapësire ku jetojnë shqiptarë pa kufi, gjithnjë duke përfshirë Luginën e Preshevës në territorin e Kosovës”, u shpreh presidenti kosovar.
Më 29 dhjetor të vitit të shkuar, si hap i parë u nënshkrua marrëveshja dhe filloi së funksionuari një pikë e përbashkët kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa, disa muaj më vonë pretendohet që të hiqet kontrolli kufitar.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se ë një afat sa më të shkurtër kohor më nuk do të ketë kontrolla fizike në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për lehtësimin e procedurave të kalimit të njerëzve dhe mallrave në kufirin ndërmjet dy vendeve i ka zemëruar zyrtarët e qeverisë në Beograd.
Autoritetet e Beogradit kanë reaguar disa herë duke e interpretuar ndryshe heqjen e barrierave kufitare Kosovë-Shqipëri. Ata kanë vlerësuar se me këto marëveshje po “krijohet Shqipëria e Madhe”.
Hapja e kufirit të Shqipërisë me Kosovën, nëpërmjet lehtësimit të procedurave të kalimit në dogana, është një nga premtimet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se ai do të dëshironte të hiqte kufijtë edhe me Maqedoninë, Malin e Zi e Greqinë.
Kjo ide duket se i ka pëlqyer edhe kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev, i cili është shprehur, se “edhe ai do të dëshironte të bënte të njëjtën gjë”.
“Edhe unë do të dëshiroja t’i hapnim kufijtë. Nuk shoh asgjë kontroversë në qëndrimin e kryeministrit shqiptar lidhur me hapjen e kufijve me fqinjët, përfshirë Maqedoninë. Kjo ide do të sillte edhe përfitime të mëdha ekonomike dhe do të ishte në të mirën e qytetarëve të të gjitha vendeve të rajonit” është shprehur Zaev lidhur me këtë temë.
Krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, apo i një tregu të përbashkët me heqjen e të gjitha barrierave fizike, teknike dhe fiskale do të mundësonte që mallrat, shërbimet, kapitali si dhe personat të mund të lëvizin lirishtë sikur brenda një shteti të vetëm.
Pra heqja e barrierave do të zgjeronte mundësitë, eksperiencat dhe horizontet e njerëzve, ndërsa gjithashtu do të mundësonte që të mos bllokohen më mallrat për shkak të rregullave dokumentacioneve dhe procedurave të panevojshme dhe nga tatimet për mallrat e importuara./Ibna/