Kosova dhe Shqipëria me diplomaci të unifikuar

Kosova dhe Shqipëria me diplomaci të unifikuar
Në arenën ndërkombëtare Kosova dhe Shqipëria do të përfaqësohen bashkarisht. Përmes një marrëveshje të nënshkruar nga Ministrat e Jashtëm të dy vendeve, shtetet do të nisin punën për ngritjen e ambasadave dhe konsullatave të përbashkëta.
Ambasadat e përbashkëta të Kosovës me Shqipërinë në vende të caktuara, pos kursimeve financiare, ata i shohin edhe si përparësi në koordinimin e diplomatik ndërmjet dy vendeve.
Kjo është arritur përmes një marrëveshje të firmosur mes Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli dhe homologut të tij shqiptar, Genc Cakaj.
Të dy ministrat kanë theksuar se unifikimi i diplomacisë është praktikë e shumë vendeve dhe në përputhje me rregullat ndërkombëtare.
Ministri Cakaj ka deklaruar se me këtë marrëveshje, “Shqipëria merr përsipër jo thjesht afirmimin deklarativ por edhe përfaqësimin e drejtëpërdrejtë, mbrojtjen konkrete dhe afirmimin pa kushte të qëndrimeve zyrtare të Republikës së Kosovës në të gjitha instancat ndërkombëtare ku përfaqësimi i Kosovës për shkaqe objektive është i pamundur”.
Gjithashtu marrëveshja parasheh një fond të përbashkët për menaxhimin, ngritjen dhe zhvillimin e ambasadave dhe konsullateve nëpër botë si dhe shkëmbin e diplomatëve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli thotë se, Kosova dhe Shqipëria do të bashkërendojnë nga afër politiken e jashtme, do të krijojnë misione të përbashkëta diplomatike dhe do të ndajnë stafin dhe përvojën për zbatimin e interesave tona kombëtare.
“Shqipëria si gjithmonë do të mbrojë interesat e Kosovës, dhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë. Si dy vende, një komb, ne do të përfaqësohemi në të gjithë botën me një zë të unifikuar.” Deklaroi Pacolli.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 11 vjet më parë, Republika e Kosovës, sipas të dhënave të Ministrisë për Punë të Jashtme, është njohur nga 116 shtete, edhe pse ky numër është kontestuar disa herë, për shkak të raportimeve për “çnjohje” nga disa shtete, si pasojë e lobimit të Serbisë.
Gjatë kësaj periudhe, sipas të dhënave zyrtare, Kosova ka hapur misione diplomatike dhe konsullore në 29 shtete./Ibna/