Korrupsioni në Kosovë i përmasave endemike

Korrupsioni në Kosovë i përmasave endemike

Një raport i Institutit të Kosovës për Drejtësi në Kosovë, vë në pah se gjatë tri viteve të fundit nuk është shënuar asnjë rast i dënimit të zyrtarëve të profilit të lartë për përfshirje në korrupsion.

Sipas raportit shkalla e mos ndëshkimit të korrupsionit, është shqetësuese, ndërsa mungon vullneti i duhur politik për ta luftuar atë.

Ehat Miftaraj nga IKD, tha se sipas hulumtimeve që ka bërë ky institucion se korrupsioni në Kosovë vazhdon të jetë endemik. 

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë thanë se kjo gjendje paraqet rrezik jo vetëm për Kosovën.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruairi O’Conell theksoi se Kosova ka momentin e fundit që të luftojë korrupsionin në mënyrë që të mos humbasë mbështetjen ndërkombëtare.

Ai tha se bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në Kosovë dhe për këtë nuk mund të pranojë dështimin.

“Është koha e fundit që zyrtarët me integritet të kontestuar të ecin nga pozitat.. ndryshime të tilla i duhen policisë, gjyqësorit dhe prokurorisë. Politika duhet t’i mbajë duart larg nga këto institucione. Nuk po e zgjasë shumë sepse nuk ka kohë. Nuk ka kohë as për Kosovën dhe për sistemin e drejtësisë. Prokurorët dhe gjyqtarët e Kosovës duhet të jenë heronjtë e rinj të Kosovës”, tha O’Conell.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se nuk mendon se mundon vullneti politik në vend. Teksa shtoi se për vetingun duhet bërë një analizë, pasi që sipas tij nuk mundet gjithmonë Kosova të shkoj me themelimin e institucioneve.

Ai tha se kanë arritur një reformim të thellë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 Skënder Çocaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se llogaridhënia dhe transparenca do të jenë prioritetet e tij. Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, tha se edhe sot nuk janë të knaqur me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ai tha se te korrupsioni është problemi i numrit të madh të njerëzve të akuzuar, porse nuk ka shumë vendime përfundimtare.

Këto komente u bënë në tryezën me temë: “Pandëshkueshmëria e korrupsionit, rrezik për shoqërinë dhe shtetin”/ “Zgjidhja: Integritet, transparencë, llogaridhënie?”./Ibna/