Kongresi Amerikan mbështetje të fuqishme për Kosovën

Kongresi Amerikan mbështetje të fuqishme për Kosovën
 Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi, priti në një takim në Uashington kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të cilit i shprehu “mbështetjen e palëkundur amerikane” për Kosovën.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Veselit thuhet se Pelosi “u zotua se do të jetë gjithmonë në përkrahje të Kosovës” dhe theksoi se “Kosova mund të llogarisë në ndihmën e saj dhe të Kongresit Amerikan”.
“Amerika do të jetë përkrah Kosovës dhe do t’ju mbështesë gjithmonë”, tha Pelosi.
Veseli, në anën tjetër, kërkoi nga Pelosi që SHBA-ja të ketë përfshirje edhe më të madhe dhe më të drejtpërdrejtë në proceset që po kalon Kosova.
“Gjatë këtij takimi, Veseli po ashtu ka kërkuar nga zonja Pelosi përkrahje të Kongresit dhe institucioneve të SHBA-së për ushtrinë e Kosovës, si dhe për iniciativën për dënimin e gjenocidit serb dhe të krimeve dhe dhunimeve gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka marr  pjesë edhe në forumin e liderëve parlamentarë të organizuar nga Kongresi Amerikan, në Ëashington.
Në këtë organizim po marrin pjesë edhe përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën.
Ai u bëri thirrje vendeve që nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë, pasi kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore.
“Kërkoj nga ju që ta njihni shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo i shërben paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. I shërben edhe miqësisë dhe zhvillimit të lidhjeve tona në të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit”, ka thënë Veseli, në hapje të fjalës së tij në Kongresin Amerikan./Ibna/