Konferencë e Fondit Marshall: kah duhet të shkojë Ballkani Perëndimor

Konferencë e Fondit Marshall: kah duhet të shkojë Ballkani Perëndimor

“Përforcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe marrëdhëniet rajonale në Evropën Juglindore është  tema e konferencës “Ballkani: 360” që po zhvillohet në Shkup në organizim të Fondit gjerman Marshall.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani tha se në suaza globale, Maqedonia e Veriut tanimë po prezantohet si tregim të suksesshëm dhe është një realitet i ri në Evropën Juglindore.

“Vetëm para 20 muajve ishim një tregim i mërzitshëm Ballkani – i panjohur, me çështje të hapura politike, me sfida të brendshme, marrëveshje të pa përmbyllur paqësore prej para 18-të viteve, dhe me kërcënime për sigurinë e brendshme, për sundimin e të drejtës”, theksoi Osmani.

Zyrtari i lartë amerikan Philip Reeker foli për zgjidhjen e emrit duke shtuar se kryeministrat Zaev dhe Tsipras si dhe ministrant e jashtëm të dy vendeve janë meritorë për këtë arritje historike. Ai beson se liderët e tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet të marrin shembull nga kjo përvojë.

Ushtruesja e detyrës ambasadore amerikane në Shkup, Micaela Schweitzer-Bluhm nënvizoi se kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis  Tsipras në mënyrë dramatike i ndryshuan marrëdhëniet mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, duke i transformuar të dy fqinjët në partnerë.

Ambasadori gjerman  Tomas Gerbrih tha se Maqedonia e Veriut arriti dimension historik me Marrëveshjen e Prespës dhe se pas rezultatit pozitiv nga implementimi i marrëveshjes, është hapur rruga drejtë NATO-s dhe BE-së për vendin.

Projekti “Ballkan 360” nga Fondi Marshall ka për qëllim ta mbështes angazhimin inovativ dhe koheziv të SHBA-së dhe Gjermanisë në Ballkan, dhe ta mbështes integrimin euroatlantik të rajonit. /IBNA