Kompanitë të interesuara për suksesin e zgjedhjeve presidenciale, në të kundërtën paralajmërojnë krizë

Kompanitë të interesuara për suksesin e zgjedhjeve presidenciale, në të kundërtën paralajmërojnë krizë

Kompanitë dhe bizneset e ndryshme në Maqedoninë e Veriut thonë se zgjedhjet presidenciale duhet të rezultojnë të suksesshme dhe më 5 maj të zgjidhet presidenti, pasi që çdo alterantivë tjetër që prodhon prolongim dhe krizë, është e dëmshme për ekonominë e vendit.

“Vështirë do të realizohen planet dhe investimet e kompanive nëse vjen deri te një krizë e re politike. Mungesa e censusit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, e me këtë edhe moszgjidhja e presidentit të shtetit mund të rezultojë me jostabilitet politik. Skenari i këtillë do të sjellë pasiguri në ekonomi”, thotë Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Edhe njohësit e zhvillimeve politike dhe ekonomike thonë se dështimi i zgjedhjeve presidenciale do të sjellë krizë politike , e cila do të reflektohet në ekonominë e vendit, sidomos në planin e investimeve.

Sipas tyre, nëse zgjedhjet janë suksesshme dhe nëse zgjidhet presidenti më 5 maj, kjo gjithsesi do të ndikojë pozitivisht në biznesin, para së gjithash për shkak të faktit se fushata do të përfundojë dhe do të vazhdojnë me realizimin e planeve që ishin në pritje thuajse dy muaj prej shpalljes së zgjedhjeve./IBNA