
Një sasi kokaine që në tregun e zi narkotik kap vlerën e më shumë se dhjetë milionë euro, ishte transportuar në portin e Maltës për t’u futur në Shqipëri.
Ngarkesa me kokainë u zbulua sot në tre kontenierë të ndryshëm.
Dy prej tyre kishin si destinacion Durrësin dhe i treti, Selanikun.
Gjithsej u zbuluan 91.3 kilogramë kokainë në 76 pako.
Policia malteze tha se operacioni për zbulimin e të gjithë kokainës zgjati 19 orë.
Droga u zbulua nga pajisjet e skanimit që tregonin parregullsi në kontejnerët rreth të cilëve zyrtarët kishin dyshime.
Autoritetet malteze thanë se po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe zbulimin e autorëve. Hetuesit në Maltë kanë kërkuar dhe ndihmën e policisë shqiptare.
Ish zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, komenton zbulimin e drogës së fortë duke u shprehur skeptik se autoritetet shqiptare do të kenë sukses në zbulimin e trafikantëve.
Ai thotë se u zbulua plani për të “sulmuar” Shqipërinë me kokainë të pastër, 91 kg me vlerë 10.3 milionë euro me destinacion Shqipërinë”.
Strazimiri kritikon ministrinë e Brendshme, kur thotë se ajo është e paaftë të zbulojë rrjetin trafikant.