Këshilli Evropian i kërkon Kosovës heqjen e tarifave dhe luftë kundër korrupsionit

Këshilli Evropian i kërkon Kosovës heqjen e tarifave dhe luftë kundër korrupsionit
Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje Kosovës që të heqë tarifat ndaj mallrave serbe, të vazhdojë bisedimet me Serbinë dhe të luftojë me vendosmëri korrupsionin.
Këto thirrje janë pjesë e përfundimeve të Këshillit për Çështje të Përgjithshme në Bashkimin Evropian, i cili diskutoi të martën në Luksemburg çështjen e zgjerimit të bllokut.
Në përfundimet e Këshillit shprehet keqardhja e thellë me “vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifat të njëanshme prej 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në nëntor të vitit 2018, në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore dhe frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit”. Këshilli nënvizon se “ky vendim pengon bashkëpunimin rajonal dhe duhet të tërhiqet menjëherë”.
Këshilli thekson se “korrupsioni dhe krimi i organizuar duhet të trajtohen me vendosmëri.
Këshilli mbetet i shqetësuar me ndërhyrjet politike dhe rekrutimet jomeritore dhe i zhgënjyer me emërimin e të dënuarve për krime lufte në pozita zyrtare, gjë që është në kundërshtim me vlerat Evropiane”.
Këshilli vë re me shqetësim se “situata e përgjithshme në veriun e Kosovës paraqet sfida të posaçme në fushën e krimit të organizuar, korrupsionit dhe lirisë së shprehjes”.
Këshilli pohon se kërkohet forcim i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare si dhe të pjesëtarëve të pakicës rome.
Këshilli ka vënë re përparimin e Kosovës ne luftën kundër radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit. Ai kërkon përpjekje shtesë për të trajtuar financimin e terrorizimit sikurse edhe për rehabilitimin dhe ri integrimin.
Këshilli i bën thirrje Kosovës që të ndërmarrë masat e domosdoshme për t’iu përmbajtur rregullave fiskale, për të shtuar përpjekjet për të luftuar ekonominë joformale, për të trajtuar në mënyrë aktive papunësinë e lartë, sidomos papunësinë e të rinjve dhe grave, për të investuar më shumë në arsim dhe në energjinë e ripërtërishme.
Këshilli i kërkon Kosovës të vazhdojë përkushtimin ndaj Gjykatës së Posaçme për krime lufte dhe të bashkëpunojë ngushtë me Misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.
Lidhur me bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i kërkon Kosovës të bëjë “më shumë përpjekje dhe të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të favorshëm, si dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të përjetohet si provokim”./Ibna/