Kërkesat e Kosovës në samitin e Berlinit

Kërkesat e Kosovës në samitin e Berlinit
Në samitin e Berlinit liderët kosovarë kanë shprehur qëndrimet diametralisht të kundërta sa i përket procesit të bisedimeve me Serbinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci është shprehur më pesimist duke hedhur kritika të ashpra ndaj Bashkimit Evropian, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka vlerësuar lartë rolin e Gjermanisë dhe të kancelares gjermane, Angela Merkel.
Presidenti Thaçi pas takimit iu tha gazetarëve se “Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për të lëvizur gjërat përpara në Ballkan prandaj duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara”.
Presidenti i Kosovës kërkoi nga Gjermania dhe Franca që të bëjnë trysni ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës. Ai gjithashtu kërkoi liberalizimin e vizave si dhe një kërkim falje nga lidershipi serb për krimet e bëra në Kosovë.
Për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dy janë çështjet kryesore para se të fillojë ky Samit. E para, që Gjermania dhe Franca të mbështesin Kosovën për liberalizimin e vizave, dhe e dyta, që këto dy vende ta bëjnë të qartë se në dialogun Kosovë – Serbi, tema e ndryshimit të kufijve nuk mund të diskutohet.
“Në takimin me ambasadorin mbasadorin e SHBA-ve në Gjermani, Richard Grenell theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opcion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin”, ka shkruar Haradinaj
Ai ka vlerësuar lartë rolin e kancelares gjermane Angela Merkel e cila ka qenë kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit me Mogherinin tha se duhet te ketë një zgjidhje kompromisi.
“Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se duke bërë presion mbi Serbinë atëherë vjen deri të zgjidhja këtu përfundon filmi”, u shpreh Vuçiq.
I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiq tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi”, tha Vuçiq./Ibna/