Kandidati shqiptar për President kritikon Shqipërinë dhe Kosovën se nuk e mbështesin

Kandidati shqiptar për President kritikon Shqipërinë dhe Kosovën se nuk e mbështesin

Kandidati i vetëm shqiptar për President i Republikës së Maqedonisë së Veriut është Blerim Reka.

Z.Reka kritikon qëndrimet nga Tirana dhe Prishtina zyrtare duke pohuar se nuk ka gjetur mbështetjen e tyre.

Kandidati për President, tha sot se ai “nuk e kupton heshtjen e Shqipërisë dhe Kosovës, në raport me kandidaturën e tij”, raporton IBNA.

Reka thotë se shqiptarët duhet të ecin përpara në vendin ku jetojnë. Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit është e tejkaluar dhe duhet një tjetër marrëveshje për shqiptarët sidomos për sa i përket numrit të tyre.

BDI, parti kryesore e shqiptarëve në MV, po mbështet Pendarovskin e propozuar nga mazhoranca e Zoran Zaevit, por z.Reka thotë se mbështetja është vetëm e liderëve të kësaj partie, jo e popullit të thjeshtë.

“Megjithëse liderët e BDI-së mbështesin Pendarovskin, anëtarët e thjeshtë të kësaj partie do të votojnë për kandidaturën time”, – thotë Blerim Reka, i cili është kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale që mbahen të dielën në Maqedoninë e Veriut.

Ai duhet të renditet mes dy të parëve për të shkuar në balotazhin e Majit.