Java e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale

Java e fundit e fushatës për zgjedhjet presidenciale

Fushata për zgjedhjet presidenciale ka hyrë në javën e fundit. Fushata do të përfundojë më 19 prill, ndërsa më 21 prill do të zhvillohen votimet për zgjedhjen e presidentit.

Në garën presidenciale janë tre kandidatë: Stevo Pendarovski nga SDSM dhe partitë e koalicionit, Gordana Siljanovska – Davkova nga VMRO-DPMNE dhe Blerim Reka i përkrahur nga opozita shqiptare.

Tema dominuese e fushatës së ditëve të fundit vazhdon të jetë cështja e emrit dhe Marrëveshja e Prespës. Derisa kandidatja e VMRO-DPMNE, Siljanovska thotë se nuk e pranon këtë marrëveshje dhe se do të shqyrtojë të gjitha opsionet për anulimin e saj, dy kandidatët e tjerë Pendarovski dhe Reka thonë se mbështesin këtë marrëveshje, që është alternativë e vetme për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) theksoi se po bëhen përgatitjet e fundit për këto zgjedhje.

“Jemi në procesin e mbarëvajtjes së procesit të fushatës dhe më 17 prill do të nis edhe shpërndarja e materialeve për votim”, theksoi Admir Shabani nga KSHZ.

Nga gjithsej 3480 vendvotime, në këtë cikël nuk do të votohet në 82 prej tyre për shkak se numërojnë më pak se 10 votues të regjistruar. Të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës do të kenë mbi 1.8 milionë votues. Në rast se kandidatët nuk arrijnë votat e nevojshme, atëherë raundi i dytë do të zhvillohet më 5 maj. Por për të qenë zgjedhjet e suksesshme duhet që të arrihet censusi prej 40%  apo mbi 723 mijë votues. /IBNA