
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov refuzoi të dekretojë 11 ligje që janë miratuar me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.
Siç bënë të ditur shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme në ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, për shërbime në armatë, ligjin për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik e të tjera.
Ivanov, ligjet nuk i dekretoi me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka vepruar në bazë të betimit të dhënë se do të mbrojë kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.
Ligjet janë miratuar pas 11 janarit, kur edhe ishin miratuar ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Ivanov e ka kundërshtuar Marrëveshjen për Emrin me Greqinë, të arritur më 17 qershor, 2018, duke thënë se ajo nuk është në interesa të shtetit dhe se rrezikon identitetin e gjuhën maqedonase”./IBNA