Italia partner kyç i Kosovës në luftë kundër krimit transnacional

Italia partner kyç i Kosovës në luftë kundër krimit transnacional

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, dhe homologu i tij italian, Alfonso Bonafede, kanë nënshkruar sot në Romë Marrëveshjen për Transferin e Personave të Dënuar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Italisë.

Ministri Tahiri ka theksuar Marrëveshja e nënshkruar sot e thellon edhe më tej bashkëpunim mes dy vendeve si dhe forcon doktrinën e zbatimit të të drejtave të njeriut në Kosovë, me theks të veçantë të atyre që kanë rënë ndesh me ligjin dhe janë në vuajtje të dënimit.

Gjatë takimit me homologun italian, Ministri Tahiri ka shpalosur reformat që janë ndërmarrë në fushën e sektorit të sundimit të ligjit, veçmas kodifikimit të së drejtës penale dhe masave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, parandalimit të terrorizmit si dhe trafikimit të narkotikëve.

“Republika e Kosovës është duke marrë rolin vendimtar si partner kyç në rajon, në luftën kundër krimit të organizuar trans-nacional, terrorizimit, trafikimit të narkotikëve dhe trafikimit me qenie njerëzore. Angazhimi ynë i vazhdueshëm për të fuqizuar sundimin e ligjit në të gjitha komponentët e tij, po i jep Kosovës vendin e saj meritor si shtet që i shërben përpjekjeve ndërkombëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar trans-nacional” ka thënë ministri Tahiri./Ibna/