Intervistë me deputetin socialist Fadil Nasufi

Intervistë me deputetin socialist Fadil Nasufi

INTERVISTA/ Flet deputeti i Partisë Socialiste, Fadil Nasufi: “Përshkallëzimi i protestave është një rruge pa krye që dëmton Shqipërinë dhe vetë opozitën. Kjo opozitë po investohet pak ose aspak, për t’u kthyer në alternativë qeverisëse”

“Është koha e një opozite të re konkurruese”

“Kjo opozitë është në udhëkryq dhe ka probleme me veten.

Por demokratët e vërtetë dhe pjesa e shëndoshë duhet të reflektojë dhe të ngrihet në lartësinë e misionit që e kërkon koha. Është koha e një opozite të re konkurruese…”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, deputeti socialist, Fadil Nasufi. Duke shtuar se protestat e opozitës po dëmtojnë imazhin e vendit dhe injektojnë frikë e pasiguri. Madje, sipas tij, ato po dëmtojnë edhe hapjen e negociatave me BE-në në qershor. Megjithatë, “qeveria po goditet, por nuk çuditet”, shton ai…

Intervistoi për “Albanian

Free Press”: Albert Zholi

Protesta e datës 16 mars, a kishte sipas jush ndonjë risi në raport me protestat e mëparshme te opozitës?

Nuk solli ndonjë risi, veç ritualit të zakonshëm të fjalimeve ulëritëse të Bashës dhe Kryemadhit për të rrëzuar Edi Ramën dhe për ta shtyrë e provuar në një protestë tjetër, këtë të ashtuquajtur kauzë, të këtyre të arratisurve nga parlamenti.

Në protestë, po kristalizohet një grup radikal, të cilët frymëzohen për të ushtruar dhunë, për të provokuar policinë dhe për të nxitur veprime destabilizuese, që dëmtojnë imazhin e vendit dhe injektojnë frikë dhe pasiguri. Në protestë nuk përfaqësohet populli. Konstatoj se ka edhe distancim nga shumë demokrate të spikatur e me peshë, që nuk i shkojnë mbrapa kësaj aventure.

Çfarë kishte ndryshe nga të tjerat kjo protestë?

Ishte një protestë e sforcuar. U konsumua një muaj kohë me takime nëpër gjithë Shqipërinë për të sjellë më pak njerëz, që nga protesta në protestë po tkurren dhe po zhgënjehen. Nuk ka kauzë dhe alternativë, veç një sjellje e imponim të lidershipit të opozitës për të kërkuar pushtet në tavolinë me një kokëfortësi të pashpjegueshme.

Çfarë tregojnë këto protesta dhe djegia e mandateve në opinionin shqiptar e atë ndërkombëtar. Si janë pritur ato?

Djegia e mandateve dhe gjithë veprimet e opozitës janë veprime antikushtetuese, që në thelb rrëzojnë sistemin e demokracisë. Ky është një precedent i rrezikshëm që sjell destabilizim dhe delegjitimitet të institucioneve kushtetuese.

Me votë të lirë, kjo opozitë nuk vjen në pushtet, sepse tradicionalisht janë pakicë, janë provuar si shpërdorues pushteti dhe si rrënues të vlerave dhe bllokues të reformave. Këta janë pjella e pasojave dhe e plagëve që vuan Shqipëria. Nuk kanë me vete as mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, as përkrahjen e ndërkombëtarëve, sepse nuk janë me të drejtën dhe me të vërtetën.

Pas këtyre protestave; a janë forcuar apo lëkundur pozitat e qeverisë dhe të kryeministrit Rama?

Qeveria nuk është komode në këto kushte. Kostot e këtyre protestave dihen për dëmin që i sjellin Shqipërisë, për imazhin e saj të përkeqësuar. Janë veprime që sjellin pasiguri, destabilitet e klimë jo të shëndetshme për biznesin, turizmin, investimet, zhvillimin social ekonomik, etj. Sa vite duhen për të korrigjuar një dëm, një imazh dhe një marrëdhënie që hidhet në erë për një ditë.

Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës?

Përshkallëzimi i protestave sipas modelit të datës 16 shkurt dhe 16 mars, është një rruge pa krye që dëmton Shqipërinë dhe vetë opozitën. Kjo opozitë po investohet pak ose aspak për t’u kthyer në alternativë qeverisëse.

A e dëmton hapjen e negociatave në muajin qershor djegia e mandateve te opozitës dhe çfarë zhvillimesh priten ne vend?

Patjetër që e dëmton. Mungon dialogu, mungon kontributi  i opozitës për hapjen e negociatave. Veprimet e saj janë bllokuese dhe diskredituese. Ne presim të na dojë më shumë bota, sesa duam njëri-tjetrin si shqiptarë.

Mendoni se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale?

Nuk mund të parashikosh asgjë se ç’mund të ndodhë me këtë opozitë. Janë në dëshpërim, në kaos, në depresion. Veprojnë me kokë të nxehtë nën makthin e zullumeve dhe të frikës nga drejtësia e re që po afron. Vetëasgjësimi nuk të çon gjëkundi.  Këtë rrugë kanë zgjedhur. Ne fitojmë nëpërmjet punës, të organizimit, sistemit të vlerave, modeleve të suksesshme të qeverisjes vendore.