Intensifikohet fushata për balotazhin e 5 majit, Pendarovski dhe Siljanovska ashpërsojnë retorikën

Intensifikohet fushata për balotazhin e 5 majit, Pendarovski dhe Siljanovska ashpërsojnë retorikën

Po vazhdon fushata për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut që do të zhvillohet më 5 maj, ndërsa dy kandidatët kanë intensifikuar aktivitetet e tyre dhe kanë ashpërsuar retorikën e akuzave.

Kandidati i socialdemokratëve në pushtet, Stevo Pendarovski po përdor retorikën me ish-kryeministrin Nikola Gruevski, duke kërkuar votë që mos të kthehet siç tha “regjimi i tij”.

“Qytetarët duhet të votojnë për kandidaturën time, pasi kjo është garanci se regjimi i Gruevskit nuk do të kthehet, se do të mbështetet opsioni politik i cili e çon Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian dhe NATO, dhe se në këtë mënyrë vendi do të bëhet me president nga i cili nuk do të turpërohet.”, theksoi Pendarovski. Ai po ashtu po vazhdon ti bëjë thirrje shqiptarëve që ta mbështesin në votimet e 5 majit.

Kandidatja e VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska – Davkova thotë se ajo do të jetë garancë për një shtet të drejt dhe në interes të të gjithë qytetarëve. Ajo ka shtuar kritikat ndaj pushtetit aktual, duke thënë se vendi ka nevojë edhe për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Njerëzit janë të zhgënjyer nga bartësit e pushtetit politik sepse shumë shpesh ata i adresojnë interesat e veta në vend të qytetarëve. Ajo që ofroj unë dhe ajo që e bëj është garancë se nuk do t’i harroj qytetarët”, tha Siljanovska Davkova.

Dy kandidatët vazhdojnë të jenë të fokusuar tek votat e komunitetit shqiptar, që janë vendimtare.

Profesori Blerim Reka, i cili u eliminua nga gara presidenciale, por që mori rreth 80 mijë vota, sinjalizon se ai mund edhe të jetë neutral ndaj Pendarovkit dhe Siljanovkës, përkatësisht që mos t’i bëjë asnjë ftesë elektoratit të tij për raundin e dytë.

“E drejta e votës është e drejtë e shenjtë dhe nuk është e imja. Ajo është e drejtë që i takon qytetarëve dhe ata vetë vendosin se për kë votojnë. Unë nuk bëj tregti me votat e qytetarëve”, është shprehur Blerim Reka.

Analistë dhe politikanë shqiptarë janë të ndarë me qëndrimet e tyre se a duhet shqiptarët të abstenojnë në raundin e dytë, apo të dalin të votojnë, duke shprehur më shumë preferenca për kandidaturën e socaildemokratit Pendarovski. Më 5 maj do të zhvillohet balotazhi, ndërsa për të qenë zgjedhjet e suksesshme duhet të dalin mbi 40 për qind nga 1.8 milion votues./IBNA