Simic: Kosova s’mund të formojë gjykatë ndërkombëtare

Simic: Kosova s’mund të formojë gjykatë ndërkombëtare
Propozimi i rezolutës me të cilën Prishtina akuzon Serbinë për gjenocid është hap kundër dialogut dhe kundër normalizimit të marrëdhënieve.
Kështu deklaroi sot Sllavko Simic, anëtar i Listës Serbe, sipas të cilit mungesa e reagimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj këtij hapi paraqet një formë të mbështetjes së saj për Prishtinën.
Ai projekt-rezolutën  në fjalë e ka cilësuar “veprim agresiv që po përgatitet kundër Beogradit e popullit serb”. Sipas tij, në këtë mënyrë vetëm sa thellohen marrëdhëniet edhe ashtu të ftohta midis Beogradit e Prishtinës.
“Prishtina nuk ka të drejtë të formojë gjykatë penale ndërkombëtare. Më mirë do të ishte të themelohet një këshill për pajtim”, është shprehur ai.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, mblodhi të hënën përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të të zhdukurve, organizatave të dala nga lufta, institucioneve të drejtësisë dhe institucioneve tjera të pavarura për të diskutuar një nismë për të kërkuar krijimin një gjykate ndërkombëtare për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Ai tha se nuk do të mund të ketë paqe të qëndrueshme në rajon pa pranimin e fajësisë nga ana e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë.
Autoritetet në Kosovë janë vënë në përpjekje për të miratuar ligje dhe rezoluta për të dënuar krimet e Serbisë në Kosovë, por edhe dënimin e atyre që i mohojnë ato.
Kryetari i parlamentit, Kadri Veseli, tha se Kosova ka marr të gjitha detyrimet mbi vete për të gjykuar krimet e luftës dhe se sipas tij e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me Serbinë./Ibna/