Ilir Meta i kërkon Bosnje dhe Hercegovinës ta njohë pavarësinë e Kosovës

Ilir Meta i kërkon Bosnje dhe Hercegovinës ta njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka ftuar sot Bosnje dhe Hercegovinën ta pranojë realitetin, se Kosova është një vend i pavarur dhe sovran.

Këtë kërkesë e ka parashtruar në samitin e Procesit të Bashkëpunimit për Evropë Juglindore i cili po mbahet sot në Jahorinë.

Në këtë samit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama refuzoi të merrte pjesë për shkak se Kosova nuk u thirr si shtet, por me fusnotë.

“Si të pretendojmë se kemi një bashkëpunim rajonal të suksesshëm, kur disa nga pjesëmarrësit po punojnë për të përjashtuar disa vende nga mundësia e përfitimeve”, ka deklaruar Meta.

Ai ka theksuar se është koha e duhur që Kosova të njihet si shtet i pavarur dhe sovran, pasi sipas tij respekti për fqinjët është i domosdoshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Meta tha se iniciativat rajonale po e forcojnë dialogun e brendshëm të rajonit dhe në këtë mënyrë po kontribuojnë në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Ai vuri në dukje se një sukses i madh është arritur deri më tani, dhe si shembull mori marrëveshjen e Athinës dhe Shkupit./Ibna/