IBNA Intervistë/Roshi: Djegia e mandateve, një lajthitje e pamenduar mirë

IBNA Intervistë/Roshi: Djegia e mandateve, një  lajthitje e pamenduar mirë

“Vendimi për djegien e mandateve ishte një lajthitje e pamenduar mirë, por gjithsesi mendoj se pozitive ka rikuperimin e besimit të ndaj lidershipit të PD-së”. Kështu shprehet gjatë një interviste për IBNA, kryetari i partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi. Duke shtuar edhe se faktin se beson që PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale…

Intervistoi Albert Zholi

Ministri në detyrë, Gent Cakaj, para disa ditësh përcolli lajmin e largimit të 20 diplomatëve. A është korrekte dhe ligjore largimi i menjëhershëm i një numri të tillë?
Një largim i tillë i trupit diplomatik, i menjëhershëm sjell një gjendje pasigurie dhe anksioze për gjithë sistemin diplomatik. Nga ana tjetër, tregon se të majtët e sotëm janë duke funksionuar me të njëjtën metodologji të etërve të tyre. Pra, ky sistem diplomatik vuan nga nepotizmi dhe paaftësia e besnikëve të partisë, njëlloj si dje. Mendoj se edhe nëse ministri ka plotësisht të drejtë, nuk duhej ta bënte këtë lëvizje të fortë. Pasi ajo trondit edhe diplomatët e karrierës, si dhe krijon vakuume në funksionimin e ambasadave. Gjë e cila do ta detyrojë ministrin të çojë me ngut sërish njerëzit jo të duhur.

Me këtë performancë të deritanishme, a e justifikon Cakaj sipas jush këtë post?
Vendi që kanë ministrat në këtë qeveri është në nivelin e zëdhënësit dhe jo të vendimmarrjes, kështu që si zëdhënës duhet inkurajuar.
Parlamenti po plotësohet me deputetë të listës. A është ligjor një mandat i tillë kundër vullnetit të partisë që përfaqësojnë?
Kur thua “djeg” mandatet në mënyrë kolektive, është njëlloj si të thuash se matematikës (gjeometrisë) nuk i duhet teorema e Pitagorës. Sipas meje ky vendim politik i Partisë Demokratike është nën konceptin e partisë-shtet, pra vendimet e partisë mund të shkelin çdo ligj. Për vazhdimësinë e punës së parlamentit duhet marrë asistenca e vendeve të Perëndimit mbështetur në moton “Shqipëria si Europa”. Ato kanë eksperiencë dhe praktika të përafërta për këto situata. Në logjikën e funksionimit të Parlamentit kur merr referencë numrat, besoj se 2/3-tat e tij është limiti i funksionalitetit optimal. Them se nëse ky numër nuk do të ishte arritur do kishte shanse të shtuara për zgjedhje të parakohshme. Vendimi për djegien e mandateve ishte një lajthitje e pamenduar mirë, por gjithsesi mendoj se pozitive ka rikuperimin e besimit të ndaj lidershipit të PD-së.
Sërish opozita në protestë. Mendoni se Rama do të dorëhiqet në këto situata, kur ka deklaruar se nuk e njeh dorëheqjen?
Rama nuk shquhet si njeri që vritet në sedër dhe vështirë të shohësh dorëheqje prej tij. Efekti i djegies së mandateve e kaloi efektin kulmor brenda 72 orëve që kryeministri të reagonte me dorëheqje dhe vetëm mbajtja nën një presion konstant mund ta detyrojë atë të tërhiqet, e shoqëruar kjo me presionin e Perëndimit.

Si do ta cilësoje Kongresin e fundit të Partisë Socialiste?

Kongresi i Partisë Socialiste vazhdon në të njëjtën linjë si Partia e Punës dhe me të njëjtat shfaqje duke reklamuar betejat “nga fitorja në fitore” dhe objektivat zgjedhore nën moton se “nuk ka kala që nuk e marrin komunistët”. Nuk është se prisja ndonjë gjë, sepse PS-ja si parti e majtë nuk ka lidhje me programe, por thjesht me ideologjinë e tyre, që është një demagogji e vërtetë.