IBNA INTERVISTË/ Protesta e opozitës në syrin e deputetes së PD, Albina Deda

IBNA INTERVISTË/ Protesta e opozitës në syrin e deputetes së PD, Albina Deda

Protesta e thirrur nga opozita e bashkuar në 16 shkurt, u ndoq nga të gjithë pa ndërprerje, nëpërmjet një transmetimi ku u angazhuan në terren dhjetëra gazetarë dhe operatorë televizivë. Por çfarë u pa në këtë protestë? A u zhvillua normalisht? A degjeneroi ajo dhe pse? Çfarë tregoi kjo protestë? A e rriti reputacionin e opozitës? Çfarë sinjali dha për Ramën?

Për këto zhvillime, flet me Independent Balkan News Agency, deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda.

Nga opozita pritej një protestë masive, a ishte e tillë dhe a e justifikoi tërë atë përgatitje?

Edhe në kushtet e trukeve të njohura propagandistike të laboratorit mediatik të Edi Ramës kjo protestë ishte e përmasave të jashtëzakonshme. Opozita nuk sponsorizoi mitingun siç bëri Edi Rama me rrogëtarët e shtetit në Vlorë. Thjesht opozita u unifikua me kërkesën e gjerë mbarëshqiptare për largimin e Edi Ramës, jo vetëm si e keqe qeverisëse, por si e keqe njerëzore me pasoja të rënda.

Çfarë tregoi kjo protestë?

Protesta proklamoi zemërimin dhe largimin total të shqiptareve nga realiteti i kësaj qeverisje klepto-oligarkike. Nuk mund të ketë kurrë më as retushime dhe nuk besohet në korrigjime. Edi Rama është tërësisht pas kohe për këtë vend dhe duhet larguar. Këtë vullnet e konfirmoi mitingu i 16 shkurtit.

Kush ishin të metat e protestës?

Protesta ndonëse nuk u konceptua thjesht partiake ishte e mirëorganizuar. Filloi me lule nga protestuesit, por u mbyll me gaz luftarak nga regjimi i klikës së trafikut dhe korrupsionit. Analiza është e thjeshtë dhe nuk meriton koment.

Si e mendoni të ardhmen e protestave të opozitës? Pas saj a u lëkundën më shumë pozitat e Ramës?

Protesta do të këtë përshkallëzim dhe Edi Rama edhe sikur të pretendojë të kthehet në Maduro do të largohet me çdo çmim. Tani jo vetëm shqiptarët, por dhe ndërkombëtarët e kanë të qartë se ky njeri psikopat po instalon me hapa galopantë regjimin sulltanor të oligarkisë së korruptuar politiko-ekonomike dhe po pengon jo vetëm integrimin, por po bëhet dhe shembull i keq për mbarë rajonin.

Opozita thotë se policia provokoi disa protestues, kurse qeveria thotë se dhuna u përdor nga protestuesit, mendimi juaj?

Edi Rama dhe falangat e sigurimit të Shtetit që drejtojnë vendin janë botërisht të njohur për të tilla truke si ai i hapjes së gardhit policor me qëllim që të nxisin zemërimin e ta shndërrojnë në dhune… falë Zotit ka kamera që e dëshmojnë lojën e pistë të tyre. Kështu që ky marifet karikaturor dështoi dhe në ditët që do të vijnë do të kthehet në bumerang për Edi Ramën.