IBNA Intervistë/Opozita nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve monopartiake

IBNA Intervistë/Opozita nuk mund të bëhet  fasadë e zgjedhjeve monopartiake

Njësoj si dorëzimi i mandateve, edhe vendimi për të mos u regjistruar për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, i shërben demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit”. I këtij mendimi shprehet gjatë një interviste të posaçme për IBNA Media Group, ish-deputetja demokrate, Dhurata Çupi. Dhe kjo, pasi sipas saj, “opozita nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve monopartiake”. Nga ana tjetër, ajo thekson se “protestat e opozitës do të vazhdojnë me të gjitha dimensionet demokratike” dhe se “asgjë nuk i ndal ato për të kërkuar zgjedhje të ndershme”…

Intervistoi Albert Zholi

Në një kohë kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga afati zyrtar mbi regjistrimin për zgjedhjet e 30 qershorit, Partia Demokratike ka shpallur vendimin për t’i bojkotuar ato. Ky vendim është përfundimtar?

Vendimi ynë për t’u regjistruar vetëm pasi të jenë garantuar standardet e zgjedhjeve është vendim i prerë për mos u bërë fasadë e zgjedhjeve farsë, që i dikton një pushtet, një qeveri dhe një kryeministër i kapur. Njësoj si dorëzimi i mandateve, ai i shërben demokracisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit. Opozita nuk mund të bëhet fasadë e zgjedhjeve monopartiake.

A do e dëmtojë Partinë Demokratike krijimi i një partie të re opozitare nga Rudina Hajdari?

Partia Demokratike është partia opozitare sot dhe partia që do të marrë fatet e drejtimit të vendit nesër. Partia Demokratike është partia, e cila që në krijimin e saj u dha shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur, për të krijuar parti dhe u dha atyre demokracinë e munguar për 50 vite. Sot me dëshpërim e themi se ka regres në të gjitha sa më lart.

Në fillim të javës, Basha do të mbledhë Kolegjin e Kryetarëve, për të përcaktuar axhendën e protestave, të cilat pritet të shtrihen edhe në rrethe. Ndërsa data 11 maj mbetet si më e mundshmja për protestën e katërt kombëtare. Pra, protestat do të vazhdojnë?

Shqiptarët janë të bashkuar sot në shumicën absolute të tyre në krah të thirrjes së opozitës së bashkuar. Këto janë protestat më të mëdha dhe më të fuqishme në mesazhe që ka parë vendi ynë në 30 vite. Protestat do të vazhdojnë me të gjitha dimensionet demokratike. Asgjë nuk i ndal për të kërkuar zgjedhje të ndershme, për t’u lexuar qartë vullneti i sovranit. Për t’i kthyer vendit normalitetin e munguar në vite.

Por krahas aksionit të protestave, Lulzim Basha, ka aktivizuar edhe grupet e punës brenda selisë blu, të cilat po hartojnë një program elektoral fokusuar në 100 ditët e para të Partisë Demokratike në qeveri. Çfarë është ky program?

Kujtoj se Partia Demokratike gjatë gjithë kësaj periudhe ka zhvilluar takime me përfaqësues të grupimeve të ndryshme. Lulzim Basha ka takuar pothuaj në të gjithë Shqipërinë, qytetarët e varfëruar dhe të vjedhur, bizneset që po mbyllen çdo ditë e më shumë, fermerët, minatorët, naftëtarët, mësues, mjekë. Të gjithë sot kanë shqetësimin e së nesërmes. Për këtë, Partia Demokratike po punon me kapacitetet më të njohura kombëtare dhe ndërkombëtare, për t’u dhënë shqiptarëve një program qeverisës dhe një të nesërme të sigurt dhe pa dyshim, më të mirën për familjet e tyre.

Më 26 prill, pritet që një delegacion i CDU-së gjermane të mbërrijë në Tiranë, ku do prezantojnë platformën e opozitës. Pse pikërisht ky bashkëpunim me CDU?

Partia Demokratike ka tashmë një traditë të marrëdhënieve me partnerët tanë në vite. Gjithçka do të jetë në funksion të mirëqenies ekonomike, të sigurisë ekonomike dhe të çlirimit të vendit nga ekonomia e kriminalizuar. Këto ka prioritet Partia Demokratike. Për këtë program të detajuar do të vijohet të punohet me kapacitetet më të mira të CDU.