IBNA Intervistë/ Niveli i pjesëmarrjes është shqetësimi primar i opozitës

IBNA Intervistë/ Niveli i pjesëmarrjes është shqetësimi primar i opozitës

INTERVISTA/ Kozma Dashi, ish-deputet i Partisë Demokratike, në një intervistë me IBNA thotë se për 126 shkurtin, “problemi kryesor është që ne të gjithë të shkojmë në këtë protestë, të shkojmë dhe të përcjellim të vërtetën e Shqipërisë”

Policia e Shtetit pak ditë para protestës së opozitës në 16 shkurt, ka dalë me një apel të fortë drejtuar forcave politike të angazhuara në këtë tubim. Ajo ka ndarë me publikun shqetësimin sipas saj, për përfshirjen në atë tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri. Policia e Shtetit duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta. Në lidhje me këtë tubim, për qëllimin e saj për “Albanian Free Press” zhvilluam këtë bisedë me ish-deputetin e PD, z. Kozma Dashi.

Ka mëse një muaj që po flitet shumë për protestën e 16 shkurtit. Komentet janë nga më të ndryshmet. Si e mendoni 16 shkurtin, a do të sjellë diçka të re protesta e opozitës?

Problemi kryesor është që ne të gjithë të shkojmë në këtë protestë, të shkojmë dhe të përcjellim të vërtetën e Shqipërisë. Kjo Shqipëria jonë është bërë sot gjithnjë e më e mjerë. A e dini, por besoj ju gazetarët e dini më mirë se ne se në këto vit e të qeverisjes së Rilindjes nga 2013 deri tani kanë ikur nga Shqipëria jonë e dashur plot 300 mijë vetë. E kupton? Plot 300 mijë. Pra masa më rinore, më e bukur e vendit. Dhe akoma duan të ikin, të ikin. Ta lënë këtë vend të shkretë.

 Pse duan të ikin?

Duan të ikin në sajë të kësaj qeverisjeje të keqe. Duan të ikin se në Shqipëri vidhet në mes të ditës, korrupsion i hapur me letra për 20 milionë dollarë të rrugëve. Skandal më të madh nuk ka parë vendi. Duan të ikin se po vidhet me PPP ku nuk dihet se ku shkojnë lekët e shqiptarëve, nuk dihet në xhepat e kujt shkojnë. Nuk dihet se si jepen këto lekë me këto 3 P. Grabiten shqiptarët në mes të ditës dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Si do ta komentoni protestën e studentëve a ishin, të drejta kërkesat e tyre? Pse nuk po mbështeten dhe a ka përgjegjësi stafi pedagogjik?

 Tani jemi para protestës edhe dy ditë na ndajnë. Protesta i ka të gjitha brenda. Le të ngelemi sot tek protesta e 16 shkurtit. Mos ta shpërndajmë vëmendjen, besoj se me kaq jemi të qartë.

Tashmë dihen ndryshimet në qeverinë “Rama”. Cili është mendimi juaj me këto ndryshime a do të kalojë kriza në qeveri? A ishte ky veprimi më i mirë i Ramës sidomos me delegimin e kompetencave si ministër i Jashtëm z. Cakaj?

Gjithë ndryshimet janë makijazh, makijazh i Ramës për t’u munduar që të mbulojë problemet e shumta në qeveri. Ti i lexon dhe i prek vetë këto që them unë. Asgjë nuk ka ndryshuar në qeveri, asgjë nuk funksionon. Qeveria është vetë Rama. Makijazh politik. Ky makijazh i dalë boje nuk do sjellë asgjë të re, asgjë veç dështimit. Janë lëvizje të detyrueshme por që nuk justifikojnë asgjë. Nuk bëhet qeveria me njerëz anonim sa për makijazh. E keqja është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe nuk e shpëton asnjë makijazh.

Mendon se do të ketë zgjedhje të parakohshme në këto situata?

 Le të ndalemi te protesta. Jemi të prirur për zhvillime pozitive në vend. Jemi të prirur për drejtësi. Meritojmë tjetër fat.