IBNA Intervistë me zyrtaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj

IBNA Intervistë me zyrtaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nora Malaj

Një ndër emrat më të rëndësishëm në Lëvizjen Socialiste për Integrim, partia e tretë më e madhe në Shqipëri, Nora Malaj, është deputete e Parlamentit prej disa legjislaturash.

Disa vite dhe nën disa qeveri, zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj, është aktive në politikë dhe kritike ndaj dukurive të ndryshme në shoqërinë shqiptare.

Në këtë intervistë ekskluzive për IBNA Media Group, zonja Malaj ndalet në zhvillimet e fundit në vend, pas dorëzimit prej saj dhe të gjithë deputetëve të tjerë të opozitës, të mandateve të deputetëve.

Si e cilësoni protestën e fundit të opozitës. Cili ishte mesazhi që përcolli?

Protesta e së shtunës e opozitës së bashkuar tregoi edhe njëherë se ishte protesta më e madhe e shqiptarëve, e grave, e vajzave, e të rinjve dhe e gjithë atyre që e duan të ardhmen në Shqipëri. Kjo protestë tregoi edhe njëherë që Edi Rama ka dështuar me familjen e tij politike, me ekonominë shqiptare, me drejtësinë shqiptare, me të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve, të cilët ndërtojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre. Edhe kjo protestë e nëntë radhazi tregoi se tashmë frika për të protestuar është vrarë dhe vala e zemëratës është rritur më shumë se çdo herë.  Ndryshimi e ka marre udhën e tij pa kthim. Nuk ka kthim prapa.

Opozita ka ngritur shqetësim të vazhdueshëm për përdorimin sipas saj pa kriter të gazit lotsjellës në protesta. Cili është komenti juaj?

Përdorimi në masë i gazit lotsjellës e ndjenë në trupin e tyre mijëra qytetarë të pafajshëm që protestonin paqësisht. Përdorimi i radhës i gazit “H4” helmues luftarak dhe i lëndëve kimike, duke mos respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut, duke i përdorur këto drejt qytetarëve të lirë, tregon që shteti dhe falangat e tij sot janë bërë pre të një pushteti që erdhi nëpërmjet drogës, korrupsionit e tjetërsimit të votës. Prandaj dhe sjellja e qeverisë duke përdorur lëndët helmuese luftarake është reagim i aktit final të frikës dhe panikut që e ka kapur. Sepse kjo qeveri tashmë nuk përfaqëson popullin e saj, por thjesht një sekt partiak, që ka kapur Partinë Socialiste.

Një zhvillim që po diskutohet shumë këto ditë është dhe vjedhja me dhunë e 10 milionë euro në aeroportin e vetëm të vendit. Si do ta komentonit ju dhe a ka faj shteti në këtë rast?

Ngjarja në Rinas, është një skemë e përsëritur, e cila po tregon qartë se sot Shqipëria po jeton ditët e saj  më të zeza. Asnjë institucion i rëndësisë së veçantë, si portet dhe aeroportet nuk janë më  të sigurta. Tashmë është cënuar rëndë siguria në vend dhe shteti tashmë ka rënë. Nëse do të ishim në një vend  të rajonit, jo të NATO-s, ministrat e Brendshëm e të Mbrojtjes do të kishin dhënë dorëheqjen. Por këtu nuk ka më shtet. Shteti ka ikur në drejtim të paditur, së bashku me paratë.