IBNA Intervistë me Zef Bushatin, kryetar i Partisë Aleanca Demokristiane

IBNA Intervistë me Zef Bushatin, kryetar i Partisë Aleanca Demokristiane

Kryetari i Partia Aleanca Demokristiane Zef Bushati, në këtë intervistë që dha sot për IBNA, ndalet në zhvillimet e vrullshme politike të ditëve të fundit në Shqipëri.

Partia kryesore e opozitës shqiptare, shpalli djegien e mandateve të deputetëve dhe bashkë me të, të njëjtin vendim morën dhe partitë aleate. A është normale kjo djegie në një shtet demokratik dhe çfarë do të sjell në politikën shqiptare kjo iniciativë?

Kjo situatë nuk mund të mendohet në Europë. Parlamenti është tribuna e çdo shteti, aty është zëri i votuesve të çdo partie. Por lind pyetja, a e pranon populli, votuesit e PD këtë djegie mandatesh? A janë ata dakord të mos dëgjohet zëri i tyre në parlament. Mandati nuk është i deputetit por është i votuesve që i kanë dhënë votën ndaj ata duhet të pyeten të parët. Ata e kanë fuqinë të djegin mandatin. Mandati nuk është marrë vetë në mënyrë individuale. Ndaj ky është një proces i vështirë.

Pra nuk është nismë e drejtë?

Për mendimin tim nuk është e kohës kjo nismë, nuk është për një vend demokratik. Për protestën jam shumë dakord pasi është tjetër gjë. Ishte një protestë që ka të drejtë ta organizojë çdo organizatë apo parti kur ka keqqeverisje. Shumë mirë që bëhen protesta, pasi e vënë shtetin para përgjegjësisë e bëjnë të jetë më korrekte në qeverisje.

Për protestën thuhet nga mazhoranca se ishte e dhunshme. Ju si mendoni?

Nuk jam dakord me atë çka propagandon mazhoranca. Pra thuhet e dhunshme. Por ne në botë po shohim protesta shumëmujore më të dhunshme. “Lejlekët e verdhë” në Francë kanë bërë skena më të dhunshme, apo protestat po kaq të mëdha edhe në Serbi ku opozita kërkon dorëheqjen e Presidentit. Mazhoranca nuk duhet t’i mëshojë deklaratës se protesta ishte e dhunshme. Nuk kishte dhunë se u thyen dy xhama apo u prish një kërpudhë. Ajo ishte një protestë që zgjati vetëm 5 orë, po ato që në Francë e gjetkë që zgjatin me muaj, çfarë duhet thënë për dhunën e tyre?

Protesta erdhi si një frymë kundër keqqeverisjes së PS, a mendoni se kabineti “Rama” ka bërë gabime dhe shkelje në ato përmasa që e demaskojnë Basha dhe Kryemadhi? Ku janë gabimet më të mëdha?

Po. Ka bërë gabime, absolutisht ka bërë gabime, pasi edhe kur ha bukë bëhen thërrime. Por edhe PD kur ishte në pushtet ka bërë shumë gabime dhe PS i kundërvihej. Opozita këtë detyrë ka që me protesta t’i bëjë të qartë qeverisë që të mos luajë me paratë e taksapaguesve. Pra gabime ka, protestat duhen, por të mos arrijmë në ekstremitete, as në dhunë ekstreme.

Në këto kushte a rrezikohen në qershor hapja e negociatave?

Sigurisht që rrezikohen. Një nga kushtet e negociatave është zgjedhjet e rregullta vendore. Madje u ka vënë dhe kusht që në se nuk bëhet reforma zgjedhore para zgjedhjeve lokale nuk do të hapen negociatat. Rezoluta e PE e miratuar nga 470 deputetë i kërkon qeverisë dhe opozitës shqiptare, PS dhe PD, të ndryshojnë ligjin zgjedhor, të bëjnë reformën zgjedhore, para zgjedhjeve lokale. Por deri tani asgjë.

Nëse nuk bëhet reforma zgjedhore, ju mendoni se nuk mund të zhvillohen zgjedhje të ndershme?

Po si do të zhvillohen kur KQZ-në e kontrollojë dy partitë e mëdha? Ku dinë partitë e vogla çdo bëhet me votat e tyre? Pra ata e ndajnë pushtetin dhe nuk ua lënë të tjerëve. Ky është problemi. Nuk ndodh si në Itali, Greqi, etj., ku partitë e reja marrin votat e sakta pasi KQZ është i depolitizuar.

Mendoni se në këtë situatë do të ketë zgjedhje të reja parlamentare?

Edhe nëse do ketë zgjedhje të reja, nëse nuk bëhet reforma zgjedhore do të jemi aty ku ishim. Absolutisht! Ky është kushti për ndryshimin e situatës. Kur PE ka dhënë një rezolutë, ajo duhet të ratifikohej nga Parlamenti shqiptar. Edhe nëse nuk i zbaton 100% rekomandimet e të ratifikojë 80%, por ama ta hedhë këtë hap. Por Parlamenti ynë nuk e merr fare në konsideratë.