IBNA Intervistë me shqiptaren që kandidon për deputete në Belgjikë

IBNA Intervistë me shqiptaren që kandidon për deputete në Belgjikë

Ishte ende e mitur, 12 vjeçe kur bashkë me familjen emigroi në Belgjikë. Studimet ishin pasioni i saj dhe karriera politike, një aspiratë që po e çon përpara.

Alketa Selimaj, tashmë 30 vjeçe, nga Vlora në Bruksel, tani pret që të jetë deputetja më e re e Parlamentit të Mbretërisë së Belgjikës.

Por karriera politike ka nisur më herët. Në gusht 2012 u emërua këshilltare politike për Presidenten e Parlamentit frankofon të Brukselit. Aktualisht punon me ish-Kryeministren dhe ministren e Brendshme  të Belgjikës. Vitin e kaluar në zgjedhjet lokale, Selimaj ishte kandidate e listës së lëvizjes qytetare “Alternativa Humaniste”, anëtare e partisë së qendrës së djathtë CDH që mban 9 karrige në dhomën e përfaqësuesve dhe 4 në Senatin e Parlamentit Federal të Belgjikës; me përfaqësi parlamentare në të tre rajonet belge, si dhe një karrige në Parlamentin Europian.

Në këtë intervistë ekskluzive për IBNA Media Group, zonja Selimaj tregon për këtë eksperiencë të rrallë të shqiptarëve që kandidojnë për parlamentin e një vendi evropian.

Si nisi karriera juaj politike në Belgjikë?

Si shumë shqiptarë të tjerë, jam larguar me familjen nga Vlora në moshën 12 vjeçare. Kam studiuar drejtësi dhe studimet europiane. Në gusht 2012 fillova punë si këshilltare politike për Presidenten e Parlamentit frankofon të Brukselit. Aktualisht punoj me ish-Kryeministren dhe ministren e Brendshme  të Belgjikës. Po ashtu jam e angazhuar me Partinë, në të cilën jam Sekretare Ndërkombëtare për të rinjtë. Në rastin e zgjedhjeve lokale në Bruksel,  tetorin që kaloi, isha kandidate ku edhe u zgjodha këshilltare sociale në komunë.

Jeni përzgjedhur si kandidate për deputete federale në partinë belge CDH, për zgjedhjet e 26 majit në Belgjikë. E prisnit, apo ishte surprizë kjo përzgjedhje, për faktin se konkurrenca presupozohet të jetë më e ashpër në një vend me demokraci shumë të zhvilluar?

Konkurrenca është gjithmonë e ashpër. Partia vendosi t’iu japë shansin të rinjve të motivuar që duan të sjellin ide të reja. Siç ju thashë, jam e angazhuar prej vitesh dhe pata besimin dhe mbështetjen e udhëheqjes së partisë, të cilët më çuan në një vend shumë të lart dhe jam më e reja e listës.

Në Belgjikë ka edhe një komunitet të gjerë shqiptarësh. Sa e lidhur jeni ju me ta, dhe sa ju kanë ndihmuar shqiptarët në këtë rrugëtim?

Po, komuniteti është shumë i rëndësishëm dhe shumë i integruar. Si shumica e tyre dhe unë jam shumë  e lidhur me Shqipërinë. Njihem nga shqiptarët në Belgjikë dhe nga ambasada për angazhimet e mia si aktiviste jo vetëm për mirëqenien e tyre në Belgjikë, por edhe duke lobuar për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Jam një nga themelueset e shoqatës së parë për femrat shqiptare në Bruksel “Albelges” si dhe anëtare e disa shoqatave të tjera si “Konitza” dhe “Albalife”.  Duke ditur se kam vite në politikë, shumë prej  tyre kur ju thashë që isha kandidate ju dukej si totalisht normale, një  vazhdim koherent dhe një hap tjetër mbi angazhimet e mia. Shpresoj të kem mbështetjen e tyre.

Po politikanët apo komuniteti belg a ju paragjykojnë ndopak si shqiptare, apo është e kundërta?

Jo, është e kundërta. Për ta jam një shembull e integrimit në shoqërinë e tyre. Të paktën flas për partinë time. Nuk e kam ndjerë veten të paragjykuar edhe pse e di që ky fenomen ekziston ende fatkeqësisht.

Çdo shqiptar do të dëshironte që të shihte një shqiptare në Parlamentin e “kryeqytetit politik” të Europës.  Çfarë mesazhi apo premtimi keni për ta, duke besuar se kjo dëshirë do të realizohet dhe ju do të jeni deputete?

Se do të vazhdoj të  punoj për mirëqenien e tyre duke i mbështetur dhe duke i përfaqësuar në Parlamentin federal denjësisht. Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është gjithashtu një nga prioritet e mija dhe do të  vazhdoj të loboj për këtë.

Besoj se e keni ndjekur edhe politikën në Shqipëri. Çfarë përshtypjesh iu ka lënë klasa politike mbi nivelin dhe vizionin që ka ajo, për zhvillimin e vendit tonë?

Ndër vite Shqipëria ka ndryshuar, por klasa politike është po e njëjta. Në një moment duhet ndryshim. Unë jam mësuar me politikën në Belgjikë, ku ka shume negociata dhe konsensus. Në Shqipëri është një sistem “biparti”  dhe shumë politike agresive ku ka më shumë luftë egosh personale sesa luftë idesh dhe këtë të gjithë e paguan, si gjithmonë, populli.

Shqipëria shpreson për çeljen e negociatave me BE-në në muajin qershor si dhe për anëtarësimin sa më të shpejtë në Europën e Bashkuar. Shqiptarët duhet të jenë optimistë, apo duhet të bëjnë më tepër?

Jam e bindur që e ardhmja e vendit tonë është në Europë. Por duhet të bëjmë më tepër, shumë më tepër. Unë jam në një parti ku arsimi është “kalë beteje” dhe kur shikoj gjendjen e Shqipërisë, në këtë aspekt apo edhe me mënyrën e trajtimit ndaj studenteve, kur mendoj për integrimin e saj në BE, kjo më lë një shije të hidhur.

Për çfarë synimesh keni vendosur të angazhoheni në politikë? Është herët ndoshta, por për në të ardhmen a e keni menduar ndonjëherë rikthimin në Shqipëri?

E angazhuar në shoqata të ndryshme, doja të kaloja në një hap tjetër si politika ku ka ndoshta më shumë hapësirë veprimi  për të arritur që të mbrosh bindjet e tua. Të them të drejtën, e mendoj shumë shpesh ! Me eksperiencën e fituar këtu, nëse do të kthehesha, do të angazhohesha për të drejtat e grave, demokratizimin dhe  sigurisht arsimin.