IBNA Intervistë me Sekretarin e Parë të PPSH, Muharrem Xhafa

IBNA Intervistë me Sekretarin e Parë të PPSH, Muharrem Xhafa

Politikani i njohur i të majtës, Muharrem Xhafa, analizon zhvillimet e fundit politike që kanë përfshirë Shqipërinë duke futur vendin në rreth vicioz.

Nga njëra anë, opozita ka djegur mandatet duke u larguar përfundimisht nga Parlamenti dhe po zhvillon protesta të vazhdueshme. Ajo kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie transitore dhe përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama thotë se asnjë nga këto kërkesa nuk do të plotësohet.

Në 30 qershor janë parashikuar zgjedhjet lokale. Opozita thotë se nuk merr pjesë. Mazhoranca siguron se do të hyjë në to dhe do t’i fitojë.

Por, a mundet që Shqipëria të rikthehet pas vetëm 28 vjetësh në një sistem të papranueshëm monist?

Këto dilema, trajtohen në intervistën e mëposhtme që z.Xhafaj dha për IBNA Media Group. Z.Xhafaj vlerëson se largimi i opozitës dhe zëvendësimi i saj në Parlament me emrat rezervë, pa lejen e partive që i propozuan, megjithatë është i ligjshëm.

Opozita po i vazhdon protestat. A mendoni se Rama do të dorëhiqet prej tyre?

Që opozita vazhdon të protestojë, ajo është në të drejtën e saj. Se opozita kërkon dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, edhe këtu ajo është në të drejtën e vet. Që Rama do të japë ose nuk do të japë dorëheqjen, kjo varet nga Rama, jo nga opozita! Në sistemin borgjez pushteti fitohet me votë, jo me fjalë të tipi ik të vij unë!

A mund të zhvillohen zgjedhjet lokale në këtë situatë kur protestat e opozitës do të vazhdojnë ende dhe ata e kanë përjashtuar veten nga zgjedhjet vendore?

Në kapitalizëm, opozita në Kuvend nuk mund të imponojë. Jo e jo tani që ajo ka dalë jashtë Kuvendit. Zgjedhjet lokale ose qendrore i organizon mazhoranca në zbatim të ligjit zgjedhor. Pra, zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor. Nëse partitë e opozitës me PD në krye nuk do të futen në zgjedhje, kjo është punë e tyre. Ligji në vendin tonë nuk detyron asnjë subjekt të marrë pjesë në zgjedhje dhe asnjë votues që të votojë! Është tjetër gjë të përjashtosh veten nga pjesëmarrja në zgjedhje e në votim, dhe tjetër gjë që të të përjashtojë mazhoranca!

Në Parlament janë futur disa deputetë të rinj. A është i ligjshëm mandati i tyre, në kushtet kur janë kundër vullnetit të partive që përfaqësojnë? A mund të vazhdojë punë Parlamenti në këtë situatë dhe mos ketë ngërçe ligjore? Për më tepër, një Parlament me 100 deputetë nga 140, a është i ligjshëm dhe funksional?

Në kuadrin e demokracisë borgjeze, pluraliste, mendoj se çdo gjë që është bërë deri më tani në qëndrimin ndaj opozitës së larguar nga Kuvendi është e ligjshme! Secili subjekt zgjedhor shpreh vullnetin e tij kur dorëzon në KQZ listën e kandidatëve për deputetë të tij. Ai vullnet nuk mund të ndryshojë jashtë afateve ligjore të caktuara nëse i ndërron mendja subjektit përkatës! Subjekti nuk ka më të drejtë të heqë e të vërë kandidatë nëse lista është dorëzuar dhe afatet ligjore janë mbyllur. Shtoj se subjekti nuk ka të drejtë juridikisht të pengojë një kandidat të listës të vënë prej tij. Kjo çështje i takon KQZ-së. Ngërçet në sistemin borgjez janë të paevitueshme, se i ka në natyrën e tij, po ngërçin e ka krijuar opozita që iku nga Kuvendi. Brenda kuadrit borgjez, unë vërej se gjithçka është e ligjshme! Është krejt e trashë, absurde, të thuhet se deputetët që nuk i dorëzuan mandatet janë të ligjshëm, ndërsa ata që i marrin mandatet, në bazë të ligjit borgjez, nuk qenkan të ligjshëm!