IBNA Intervistë me përfaqësuesin e opozitës shqiptare Përparim Spahiu

IBNA Intervistë me përfaqësuesin e opozitës shqiptare Përparim Spahiu

“Kërkesa e opozitës është një dhe e vetme: largimi i së keqes që solli vendin në këtë situatë”. Kështu shprehet gjatë një interviste për IBNA Media Group, ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Përparim Spahiu. Ku sipas tij, është pikërisht kryeministri Edi Rama që e solli vendin në situatën aktuale të rënduar dhe prandaj, ai meriton që të largohet. Nga ana tjetër, ai rendit edhe gjithë pasojat negative, që mendon se i ka shkaktuar vendit në tërësi dhe ekonomisë së tij në veçanti, pushteti i Ramës.

Intervistoi Albert Zholi

Si do ta cilësonit ju protestën e fundit të opozitës së zhvilluar në datën 13 prill, e nënta kjo e zhvilluar gjatë kësaj periudhe. Cili ishte mesazhi që ajo përcolli këtë herë sipas jush?

Situata është mjaft e rëndë. Të gjithë e ndiejmë, madje e shohim që jemi pa shtet, pa qeveri, pa gjykata e së fundmi, edhe pa parlament. Një situatë kjo e sponsorizuar nga vetë mazhoranca. Ky anormalitet, edhe pse Edi Rama mendon se është në favorin e tij, ka sjellë një situatë mjaft të rëndë ekonomike. Kështu që në këto kushte, kërkesa e opozitës është një dhe e vetme: largimi i së keqes që solli vendin në këtë situatë. Ky është mesazhi i protestës: largimi i Ramës që solli këtë situatë.

Sa herë ka protesta Rama është larg Tiranës, ose nëpër qytete të Shqipërisë, ose jashtë saj. Mos vallë nuk do të jetë neutralizues provokimesh, apo janë rastësi takimet e tij jashtë Tiranës?

Se ç’bën Rama dhe si sillet ai, as mua, por besoj dhe shumë opozitarëve, tashmë, nuk u intereson më. Ai dëmin e ka bërë, madje dëm të madh, ndërsa 500 mijë shqiptarë janë larguar dhe në vend ka pllakosur papunësia e varfëria. Kemi brezin e ri më të paarsimuar, por dhe më të papunin në Europë, ku biznes bëjnë vetëm miqtë e tij. Kemi korrupsion masiv në nivelet më të larta, krim e vrasje kudo.

Si do ta komentonit sakaq, vjedhjen spektakolare në Rinas dhe a ka faj shteti sipas jush në këtë rast?

Shteti është kokë e këmbë i përfshirë në ngjarje si ajo, direkt apo indirekt pak rëndësi ka. Normal që do vinim në situata të tilla kur Policia e Shtetit bashkëpunoi direkt me kultivues të kanabisit që nga viti 2016. Si mund të shkëputesh nga lidhjet me krimin, kur ke hyrë në marrëdhënie 20 përqindëshi?

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka bërë publik pezullimin dhe shkarkimin e rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Kon. A ka të drejtë sipas jush ministrja që të bëjë një shkarkim të tillë?

Ministria e Arsimit po mundohet të mbulojë me hi pisllëkun që gatoi Rilindja me reformën në arsim. Jo vetëm reformë e dështuar, por që mashtroi edhe studentët për zgjidhjen e problemeve që ata ngritën në protestë. Të gjitha problemet e tyre duan t’ia shkarkojnë Konit.