IBNA Intervistë me përfaqësuesen e opozitës, Klajda Gjosha

IBNA Intervistë me përfaqësuesen e opozitës, Klajda Gjosha

“Imazhi dhe besueshmëria e kryeministrit janë në pikën më të dobët. Samiti i Berlinit e faktoi këtë të vërtetë. Kjo, si për hedhjen poshtë të idesë së ndryshimit të kufijve, ashtu edhe me kufizimin që iu bë procesit të integrimit europian të Shqipërisë”. Kështu shprehet gjatë një interviste të posaçme për IBNA, ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha…

Intervistoi Albert Zholi

Opozita ka shpallur vendimin për t’i bojkotuar zgjedhjet lokale, ndërsa kusht themelor  mbetet largimi i kryeministrit Rama. Ky vendim është përfundimtar për opozitën?

Zgjedhjet lokale nuk mund të organizohen për sa kohë nuk u është dhënë zgjidhje problematikave të mbartura që nga viti 2017. Edhe pse jemi dy vite më vonë, nuk ka pasur asnjë tentativë nga qeveria për të marrë disa masa elementare të funksionimit të zgjedhjeve. Këtu fusim regjistrimin e zgjedhësve, problemet me kartat e identitetit, manipulimin e sistemit TIMS, përdorimin i administratës publike, pandëshkueshmërine për blerjen e votës, apo politikanët e lidhur me krimin. Kjo është arsyeja pse opozita kërkon largimin e kryeministrit, si shkaktari kryesor i degradimit të klimës e standardeve zgjedhore. Ne e shohim si të domosdoshme krijimin e një qeverie tranzitore, të ngarkuar me detyra konkrete, që mund të kthejë edhe besimin te qytetarët shqiptarë.

Për përmbushjen e  kauzës, opozita a do t’i vazhdojë protestat  dhe çfarë pritet nga to?

Sërish do të kemi një protestë kombëtare në datë 11 Maj, që padyshim do të jetë me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Protestat janë një mjet sensibilizues, por edhe një e drejtë qytetare, që i ka munguar Shqipërisë në vite. Ky mentalitet duhet thyer dhe qeveria duhet të fillojë t’i pranojë protestat e t’i dëgjojë qytetarët.

Konventa e LSI-së, çfarë detyre vendosi primare së fundmi?

Shqipërisë i duhet një ndryshim i mentalitetit, një qasje e re për mënyrën sesi qeveriset vendi dhe t’i jepet fund lidhjeve te politikës shqiptare me krimin e organizuar dhe oligarkët. Një trekëndësh që i ka marrë frymën vendit, duke larguar të rinjtë nga Shqipëria.

Në çfarë pozitash ndodhet Rama aktualisht dhe a e ka sipas jush, mbështetjen e ndërkombëtarëve cilat janë problemet e qeverisë së tij?

Kryeministri ndodhet në momentin e tij më të vështirë, ku imazhi dhe besueshmëria e tij janë në pikën më të dobët. Samiti i Berlinit në fakt e faktoi këtë të vërtetë, si për hedhjen poshtë të idesë së ndryshimit të kufijve, ashtu edhe me kufizimin që iu bë procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

Ndërsa problemet e qeverisë së tij nisën me qeverisjen me shumë arrogancë, duke shkrirë një pjesë të madhe të ministreve të mëparshme. Përfshirë këtu edhe ministrinë përgjegjëse për procesin e integrimit, siç ishte Ministria e Integrimit Europian. Në atë kohë, ne humbëm shumë kapacitete njerëzore dhe ekspertizë në këtë fushë.

E dyta, procesi filloi të drejtohej në nivel zëvendës-ministri, gjë e cila uli rëndësinë e procesit në vetvete dhe seriozitetin që ne kishim në nivel përfaqësimi.

E treta, vitin që shkoi Këshilli Europian i dha një goditje të rëndë Shqipërisë nëpërmjet konkluzioneve të Qershorit 2018, ku nga 5 kushte, vendit tonë iu paraqitën kushte shtesë që kishin të bënin me zgjedhjet, si dhe çështjen e azilkërkuesve.

Fakti që vendi ynë qeveriset nga një parti e vetme, e ka bërë atë të rrëshqasë drejt autokracisë dhe kjo nuk është aspak një qasje që i afrohet vlerave europiane.

Dhe e fundit, në këto vite ne jemi drejtuar nga një qeveri pa asnjë vizion për politikat ekonomike. Kjo e ka futur vendin në një krizë të thellë financiare, papunësi të lartë dhe mungesë investimesh. Një vend që synon të çelë negociatat, duhet të dijë t’i bëjë ballë konkurrencës së tregut, por edhe përshtatjes së politikave fiskale me ato europiane. Këtu, Shqipëria lë shumë për të dëshiruar.