IBNA Intervistë me kryetarin e Aleancës Demokratike, Eduart Abazi

IBNA Intervistë me kryetarin e Aleancës Demokratike, Eduart Abazi

“Reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse e jo vetëm, në vlerësim të situatës mbetet nevojë imediate, ku duhet të përfshihen dhe dakortësohen të gjithë”. Kështu shprehet gjatë një interviste për  IBNA, kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Eduart Abazi. Duke shtuar se “reforma zgjedhore nuk mund të realizohet për periudhën e mbetur, aq më tepër të shtrihen efektet në zgjedhjet e 30 qershorit”…

Cili është mendimi juaj për reformën zgjedhore? Cilat janë anët e dobëta që dëmtojnë partitë e vogla?

Reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse e jo vetëm, në vlerësim të situatës mbetet nevojë imediate, ku duhet të përfshihen dhe dakortësohen të gjithë. Jo vetëm palët politike, por të gjithë faktorët që kanë interes të bëhen pjesë dhe japin kontributin e tyre. Kjo nëse ndiejnë sadopak përgjegjësi edhe në analizë të tranzicionit rraskapitës për shqiptarët. Vetë sistemi zgjedhor ka problem, pasi vërtet është marrë nga Spanja ku aplikohet suksesshëm. Por kjo nuk do të thotë se jep të njëjtat rezultate edhe në vende të tjera. Aq më tepër në Shqipëri, ku vetëm pasi janë gjetur mekanizmat e kapjes së sistemit e implementojnë atë. Administrimi i zgjedhjeve deri në aktin fundor, çerifikimi i rezultateve zgjedhore është shqetësimi më i madh që i ka shoqëruar të gjitha raundet zgjedhore deri më sot në Shqipëri.

A mund të kryhet reforma para zgjedhjeve të 30 qershorit?

Reforma zgjedhore nuk mund të realizohet për periudhën e mbetur, aq më tepër të shtrihen efektet në zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo pasi sipas ligjit dhe rekomandimeve të Komisionit të Venecias, në vende si Shqipëria nuk rekomandohet të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor 6 muaj para datës së zgjedhjeve. Në këto kushte, e sigurt është se nëse zgjedhjet dekretuara nga Presidenti i Republikës në respekt të Kushtetutës nuk kanë efekt, reforma zgjedhore duhet të vazhdojë dhe përmbushë nevojën për ndryshimet e pritshme nga gjithë shqiptarët.

Partia Bindja Demokratike a pritet të bëhet parti konkurruese në zgjedhje dhe pse?
Partia Bindja besoj të rrok një pjesë të elektoratit të djathtë si mundësi për të qenë pjesë e administrimit të pushtetit vendor.

Pra një shans që besoj nuk do ta humbasin që në këto zgjedhje të radhës. Një debat i stisur ditët e fundit se disa persona, apo disa përqindje të firmave mbështetëse qenkan të manipuluara duket paksa e tepërt. Mendoj se zgjedhjet pasi dekretohen në respekt të kushtetutës, të gjitha institucionet kanë për detyrë të garantojnë mbarëvajtjen e tyre.
Cilat janë specifikat e zgjedhjeve vendore?

Specifike për këto zgjedhje janë karakteri i tyre administrativ, ndryshe nga ato politike. Nevoja e qytetarëve për të siguruar shërbimet e jetike apo të administrimit të resurseve dhe taksave në mënyrë sa më racionale. Mendoni për një moment se pas 30 Qershorit të mungojnë shërbimet për institucionet që varen apo administrohen nga baskitë. Do krijohet një kolaps që së paku nuk i shërben jetës dhe të ardhmes së shqiptarëve.  Zgjedhjet nuk bëhen për disa parti apo individë, por është një e drejtë që na e siguron sistemi demokratik që të mandatojmë njerëzit më të besuar. Në zgjedhje, një proces apo garë e hapur nuk emërohen fitues apo humbës, pozita apo opozita. Do të ndodhë ashtu si dhe më parë, që do fitojnë edhe nga kandidatët e pavarur, ndaj fjala opozitë e bashkuar apo e “madhe” nuk vlen gjatë garës zgjedhore.
Vazhdimi i protestave a e rrit numrin e përkrahësve të PD, apo po ndodh e kundërta?

Jam deklaruar edhe më parë se protestat, revoltat, apo çdo reagim deri te grevat e urisë janë gjetje në sistemet demokratike. Forcat për të zhvilluar shoqërinë bashkëpunojnë në institucione, aty ku kërkohet dhe duhet të gjendet zgjidhja. Dhe në rrugë me periudha kaq të zgjatura, ku doemos do të zbehen me kalimin e kohës. Në protesta të tilla një pjesë egërsohen dhe humbasin durimin deri dhe dalin jashtë natyrës së tyre dhe një pjesë largohen deri në braktisje të rrugës. Kjo kur po binden që edhe i gjithë faktori ndërkombëtar deri më sot nuk mendon se kjo është rruga e duhur.