IBNA Intervistë me ish-ministrin Elmaz Sherifi: Hipokrizia është shndërruar në moral qeverisjeje në Shqipëri

IBNA Intervistë me ish-ministrin Elmaz Sherifi: Hipokrizia është shndërruar në moral qeverisjeje në Shqipëri

Publicisti dhe politikani i njohur Elmaz Sherifi, ish ministër në qeveri të majta në Shqipëri, analizon zhvillimet e fundit në vend. Z.Sherifi, disa herë deputet i Partisë Socialiste, ndalet te diplomacia shqiptare, protestat e opozitës dhe veprimet e mazhorancës qeverisëse

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka nisur një fushatë në diplomaci, duke shkarkuar mbi 20 diplomatë, duke i akuzuar për paaftësi dhe nepotizëm me MPJ e mëparshëm, Ditmir Bushati. Po ashtu ai mori masa dhe ndaj konsujve të nderit duke kufizuar privilegje të tyre, si dhe po vijon me reduktimin e pasaportave diplomatike. Sa korrekte dhe ligjore janë këto veprime dhe si shihen ato në arenën ndërkombëtare për vetë faktin se diplomatët e prekur, ishin në ambasadat e Shqipërisë në vende të ndryshme të botës?

Gent Cakaj u shfaq para medias krejt i kundër nga çfarë ishte thënë për të. Ishte thënë se është shumë i përgatitur, por pashë se u shfaq me fjalor të varfër në drejtimin administrativ, me terma që nuk ndodhen në Kodin e Punës, as në Ligjin e Statusit të Nëpunësit Civil dhe ligjin mbi rekrutimet e karrierën në Shërbimin Diplomatik. Me prepotencë deklaroi se do “shkëpus” mbi 20 punonjës nga puna. Marrëdhëniet juridike të punës, lindin, ndryshojnë dhe shuhen ose përfundojnë, kur ka shkaqe ligjore dhe sipas procedurave ligjore. Asgjë nuk u komunikua për personat dhe cili ishte motivacioni i “shkëputjes”, veçse u kuptua se kush paska qenë qëllimi i shkarkimit të Bushatit. Rama e hoqi Ditmir Bushatin me motivacionin si “ministri më i mirë ndër ministrat e Jashtëm në 30 vjet”. Cakaj e denoncoi si ministrin që e ka mbushur ministrinë me miq, krushq, të paaftë të ndjekin ritmet dhe filozofinë e qeverisjes së kryeministrit Rama. Hipokrizia është shndërruar në moral qeverisjeje.

Në pjesën tjetër të punës, si e shikoni performancën e deritanishme të MPJ në detyrë?

Edi Rama e reklamoi si euriditin që nuk krahasohej me tjetërkënd. Me çfarë dëgjova në atë konferencë shtypi të Cakajt, krijova mendimin, se i mungon nervi si politikan, nuk e njeh drejtimin administrativ dhe nuk ka asnjë finesë diplomacie.

Kalojmë në zhvillimet politike. Opozita braktisi Parlamentin. Paralelisht, Kuvendi po plotësohet me deputetë të listës. A janë ligjorë këto mandate, kur kemi parasysh edhe faktin se janë kundër vullnetit të partive të opozitës që zyrtarisht ata përfaqësojnë?

Nga ana tjetër, a mund të vazhdojë punë Parlamenti në këtë situatë dhe sa legjitim është kur nuk ka 140, por pak më shumë se 100 deputetë?

Ky është Parlamenti më qesharak në botë. Deri dje i vetëakuzuar e tragjik, tani po plotësohet me komizëm. Jam kundër braktisjes së Parlamentit. Por është fakt që deputetët e ligjshëm i kanë dorëzuar mandatet. Sa kushtetues është zëvendësimi nga listat? Këtë kompetencë e ka vetëm Gjykata Kushtetuese që nuk ekziston. Por, është realitet që deri tani janë rreth 20 deputetë listash që janë betuar në Parlament. A përfaqësojnë partitë që i vunë në listë? Jo, nuk mund të pretendojnë se janë përfaqësues të PD dhe LSI, pasi partitë që i vunë në listë morën vendim të largohen nga Parlamenti. Deputetët e rinj, kanë statusin e deputetëve të pavarur dhe si të tillë mund të krijojnë grupe parlamentare. Po rikthehemi te përvoja e Këshillit Kombëtar të krijuar nga Kongresi i Lushnjes, kur opozita u krijua nga deputetët e filozofive të ndryshme politike, pasi nuk kishte parti politike zyrtare.

Protestat po vazhdojnë dhe liderët e opozitës refuzojnë dialog pa u plotësuar kushtet për ikjen e Edi Ramës, krijimin e një qeverie transitore dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Mendoni se Rama do të dorëhiqet?

Opozita ka deklaruar se do të vazhdojë me protesta deri sa të japë dorëheqje Rama. Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje, pasi opozita e re po krijohet në Parlament. Pra komedia politike mbretëron.

A mund të zhvillohen zgjedhjet lokale në këtë situatë kur protestat e opozitës do të vazhdojnë ende dhe ata e kanë përjashtuar veten nga zgjedhjet vendore?

Mbushja e Parlamentit me emrat rezervë të listave të opozitës nuk është normale. Dhe nuk është normale as që të bëhen zgjedhjet lokale, pa regjistrimin e të gjitha partive opozitare. Por me sa kam dëgjuar në artikulimet e mazhorancës, edhe ky problem është zgjidhur prej tyre, sepse Partia Socialiste do përfaqësojë edhe interesat e demokratëve(!). Partia e të gjithë popullit po afirmohet edhe në demokraci. S’ka nevojë për pluralizëm politik. Të rrojë Partia Socialiste si forca e vetme politike e shtetit dhe e shoqërisë!