IBNA Intervistë me ish-ministrin e Jashtëm shqiptar, Tritan Shehu

IBNA Intervistë me ish-ministrin e Jashtëm shqiptar, Tritan Shehu

Zëvendësministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, njoftoi dje një valë shkarkimesh në trupin diplomatik shqiptar. Të paktën 20 diplomatë të rangjeve të ndryshme në ambasadat shqiptare nëpër botë, janë shkarkuar nga detyra. Një pjesë e tyre janë qarkulluar me detyra të ulëta dhe të tjerë janë lënë në dispozicion të kësaj ministrie që de facto drejtohet nga Cakaj, por ministër i Jashtëm i dekretuar, është kryeministri Edi Rama.

Qartësisht, z.Cakaj ka atakuar ish-MPJ Ditmir Bushati, kur u shpreh se personat e shkarkuar prej tij dhe të tjerë që paralajmëroi se do të bëhen pjesë e valës së shkarkimeve, ishin të “mbytur” në nepotizëm dhe paaftësi.

Ish/zëvendëskryeministri dhe ish ministër i Jashtëm Tritan Shehu, në intervistë me IBNA komenton këto zhvillime. Prof. Dr. Shehu është shumë kritik për lëvizjet e Cakaj duke vlerësuar se kjo që po ndodh është një lloj terrorizimi ndaj trupit diplomatik shqiptar.

-Si e komentoni valën e shkarkimeve në trupin diplomatik që njoftoi z. Cakaj?

Largimi masiv, apo dëbimi masiv siç mund ta quajmë këtë është një mendësi marksiste. Shkarkimet e tilla masive janë të papranueshme në një shoqëri demokratik dhe të palejueshme. Caka u shpreh dje që kjo është një valë spastrimesh dhe transferimesh dhe kjo është një gjuhë e palejueshme për çdo ministër aq më shumë për një ministër të Jashtëm. Për çdo diplomat dhe për çdo njeri që punon ky komunikimi, ky lloj largimi është një lloj terrorizimi ndaj trupit diplomatik shqiptar, për ta mbajtur atë nën shtypje, për ta mbajtur atë nën trysni që ai të mos shprehet për problemet e mëdha për dëmet e mëdha që politika joni e jashtme po i shkakton vendit dhe interesave tona kombëtare. Një veprim i tillë siç shprehet Cakaj, “që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre e lëre më pastaj, ambicien e kësaj qeverie” nëse është e vërtetë atëherë vetiu lind pyetja: Çfarë ka bërë kjo ministri e Jashtme për kaq vjet? Me se është marrë? Kjo qeveri ka qenë edhe para 4 vjetësh edhe para 5 vjetësh. Kjo qeveri ka qenë me Ramën kryeministër, vallë nuk i dinin apo donin t’i mbulonin problemet? Aq më tepër që Rama është dhe Ministër i Jashtëm. Pra realisht njaq veprim i tillë është i pakonceptueshëm se ose tregon që kjo qeveri ka bërë gabime dhe tashmë po kërkon ti mbulojë, ose kërkon të terrorizojë personelin e Ministrisë së jashtme për ta mbajtur nënë kontroll të fortë, nën kontroll ekstrem që të binden verbërisht. Nga ana tjetër që është më e keqja z. Cakaj nuk e ka tagrin të bëjë këtë punë, të marrë vendime të tilla. Sipas Kushtetutës këto ndryshime nuk janë në tagrin e Ministrit në Detyrë pra ai i ka tejkaluar detyrat sipas përcaktimit të Presidentit të Republikës. Në moment që ka një Ministër të Jashtëm nuk mund të ketë dy ministra të Jashtëm. Të gjitha këto lëvizje dhe kjo nismë e Cakajt është e paligjshme është antikushtetuese dhe padyshim dhe ky proces është antiligjor në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë. Aq më tepër kur flitet për Ministrinë e Jashtme. Pra për mua Ministri në Detyrë ka bërë një hap të papërgjegjshëm, terrorizues dhe që realisht lidhet me problemet që ka qeveria dhe vetë kryeministri në këtë ministri.

-Dje u bë betimi i disa deputetëve të rinj të PD dhe LSI nga listat. Në këto kushte a është legjitim ky parlament dhe a mund të vazhdojë punën normalisht?

Të gjithë deputetët që janë thirrur nga lista për të marr mandatin, për tu betuar, për të hyrë në parlament, janë ta paligjshëm, janë antikushtetues. Ne kemi një Vendim të Gjykatës Kushtetues të vitit 1993 për deputetët e listës që deputetët e listës nuk mund të futen në parlament pa miratimin nga partia e vet. Pra ajo listë është e partisë, nuk është listë individuale, nuk është listë e individëve. Pra në këto kushte marrja e mandateve është i paligjshëm dhe bie ndesh me Kushtetutën me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sot kur nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse Shqipëria ka 1.5 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, kjo mënyrë e dhënies së mandateve mund të quhet Grusht Shteti. Kështu Parlamenti është jo legjitim dhe kthehet në një Kuvend kulisash.

-Protestat janë të vazhdueshme, opozita është jashtë parlamentit, a mendoni se Rama do ta japë dorëheqjen?

Rama tashmë po ndjek rrugën e autorkracisë drejt një diktature. Pra ne tashmë jemi një vend pa demokraci. Një vend që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, ku nuk ka mundësi të apelosh për shumë vendime, demokracia është në rrezik. Një vend ku 20 diplomatë largon masivisht si në diktaturë, ku nuk respektohet prona, ku nuk respektohen të drejtat dhe liritë e njeriut, ku ka korrupsion galopant, ku ka mjerim tregon se problemet janë të shumta dhe po shkojmë drejt një diktature e cila duhet të largohet. Në këto kushte në vendin tonë rruga e vetme janë, protestat, lëvizjet popullore, që të detyrojnë Ramën dhe qeverinë e tij të japë dorëheqjen dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme të lira dhe të ndershme. Dhe këto zgjedhje do jenë të lira dhe të ndershme pa Ramën kryeministër. Kjo është rruga e vetme dhe më e drejtë.

-Pra situata thoni ju është e ndezur. Mendoni se zgjedhjet vendore do të zhvillohen normalisht?

Personalisht mendoj se nuk mund të ketë zgjedhje vendore në këtë situatë. Pra situata është e tensionuar është shumë e ndezur. Pa u rregulluar dhe siguruar saktësisht instrumentet e domosdoshëm për zgjedhje normale të ndershme dhe të lira nuk mund të ketë zgjedhje vendore.