IBNA INTERVISTË me ish-kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi

IBNA INTERVISTË me ish-kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi flet në këtë intervistë për IBNA mbi vendimin e opozitës për të djegur mandatet e deputetëve. Ai thotë se nëse refuzohet zëvendësimi i mandateve të lëna, Kuvendi punon edhe me 70+1 deputetë

Celibashi, nga ana procedurale, si funksionon tani që deputetët e Partisë Demokratike kanë deklaruar se do të japin mandatet e tyre?

Duhet të shohim kur ta zyrtarizojnë këtë, sepse nuk e di se çfarë realisht do të bëjnë ata. Është thjesht një deklarim publik i tyre, por se çfarë nënkuptojnë ata me këtë, nuk e di.

Në momentin që ata japin mandatin, cilat janë procedurat që ndiqen sipas ligjit?

Ata depozitojnë kërkesat e tyre për dorëheqje si deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nga ana e tij duhet që të njoftojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve brenda 30 ditëve dhe KQZ-ja për zëvendësimin e tyre merr deputetët e radhës në listë.

Le të ndalemi këtu. Nëse emrat që vijnë pas tyre në listë nuk e pranojnë marrjen e mandatit të deputetit, a ka kufizime për partitë e tjera për plotësimin e vendeve vakante, përveç Partisë Demokratike?

Nëse nuk gaboj, partitë e së djathtës nuk garuan si një koalicion në zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë konkurruar më vete, të gjitha nën siglën e Partisë Demokratike.

Çfarë ndodh në një situatë të tillë, kur asnjëra prej tyre mund të mos e pranojë marrjen e mandatit?

Asgjë, mbeten bosh ato vendet në Kuvend, mbeten vakant ato mandate dhe numra deputetësh.

Nuk kanë shans t’i zëvendësojnë ato partitë e tjera që kanë qenë pjesëmarrëse në zgjedhjet e 2017-tës? Nga ana e së majtës?

Jo, jo.

Atëherë Kuvendi mbetet vetëm me deputetët e mazhorancës?

Po, po. Sepse nëse je në koalicion, merr mandatin e asaj partie e cila nuk paraqet më kandidatë dhe nuk i kalon mandati një koalicioni tjetër. Pra, nuk i kalon së majtës në këtë rast, mandati duhet të kalojë detyrimisht nga e djathta. E nëse asnjë prej saj nuk i pranon, këto vende në Kuvend mbeten bosh.

Dhe mund të funksionojë kështu?

Teorikisht po, edhe ligjërisht po, nga ana kushtetuese po.  Mjafton që të jenë 70 deputetë + 1, pra 71 deputetë dhe Kuvendi mund ta zhvillojë normalisht veprimtarinë e tij legjislative. Tani sesa e dobishme është kjo, është çështje tjetër. Por në pikëpamje të ligjit, është e drejtë.