IBNA intervistë me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Pirro Lutaj

IBNA intervistë me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Pirro Lutaj

Diplomacia evropiane, ndryshe nga ajo e SHBA-ve u tregua aktive ditët e fundit duke dalë me qëndrime mbi krizën politike në Shqipëri. Ajo po kërkon fuqishëm që opozita të veprojë brenda Parlamentit, duke dënuar djegien e mandateve të deputetëve.

Lideri opozitar shqiptar, Lulzim Basha i është përgjigjur evropianëve duke thënë se rrugën drejt Europës nuk po e pengon opozita, por qeveria e kapur nga krimi. Në Europë, tha Basha, nuk shkohet me gënjeshtra, ndërsa i pyeti ndërkombëtarët nëse do të pranonin një qeveri të lidhur me krimin që ka nënshtruar qytetarët. Rreth këtyre zhvillimeve politike në vend, për IBNA flet ish-deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj

Si do ta komentonit djegien e mandateve nga opozita? A është rruga më e drejtë e zgjedhur prej tyre?

Ky është një veprim tipik si i Sali Berishës që do të jetë me kosto për gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Një kosto e madhe me pasoja. Në kohën kur shqiptarët presin tjetër gjë, presin hapjen e negociatave. Djegia e mandateve është një veprim i paprecedentë, i paimagjinueshëm dhe i paperceptueshëm për ata që janë marrë sadopak me politikë. Nuk mund të mendohet djegia e mandateve në asnjë situatë. Kjo është e papranueshme për një shoqëri demokratike, e papranueshme në një vend ku ka synime të qarta për në BE.

Diplomacia evropiane kërkoi që deputetët e opozitës të kthehen në Parlament, duke theksuar se “edhe sikur opozita të ketë të drejtë për akuzat, bojkotimi nuk zgjidh asgjë”. Cili është mendimi juaj për këtë deklaratë?

Nuk është hera e parë që ndërkombëtarët të gjithë në bllok kanë mbajtur një qëndrim kritik dhe real ndaj opozitës. Qëndrimi i tyre se bojkotimi nuk zgjidh asgjë tregon seriozitetin dhe korrektësinë që kanë ndërkombëtarët në lidhje me parlamentin dhe rolin e tij në një shoqëri demokratike.

Po ashtu nga Parlamenti Evropian shprehen kundër një qeverie transitore, por bëhet thirrje për bashkëpunim mes faktorëve politikë. Ju a pajtoheni me idenë që mos ketë qeveri të përkohshme? Po për zgjedhje të parakohshme si mendoni?

Kjo kërkesë, nuk lidhet askund me realitetin dhe ndërkombëtarët e bënë të qartë se nuk ka zgjedhje të parakohshme. A mund të kërkohen zgjedhje të parakohshme me një parlament legjitim, të konsoliduar, që punon seriozisht dhe ka sjellë zhvillime të reja progresiste në jetën politike shqiptare?! Ky është parlamenti më korrekt i të gjithë viteve të demokracisë së brishtë shqiptare. Parlamenti më i legjitimuar. Pra kërkesa e opozitës është absurde.

Disa thonë edhe se këto protesta dhe djegie mandatesh kanë ndikim rus? Mendimi juaj?

 Ne nuk kemi pse japim dhe marrim deduksione. Ne duhet të fokusohemi tek ato çka ndodhin në Shqipëri dhe mes shqiptarëve, pra të merremi me problematikën brenda vendit. Duhet të fokusohemi tek problemet e faktorit politik shqiptar në rastin konkret tek opozita që merr një nismë të tillë. Edhe ndikimet e huaja nuk duhen përjashtuar, por problemin ta shohim brenda si dhe pse ndodhin këto probleme 3 muaj para çeljes së negociatave.

Jemi në prag të zgjedhjeve vendore. Mendoni se do shkojmë në mënyrë normale në këto zgjedhje, duke pasur parasysh këto zhvillime?

 Me përgjegjësinë që ka qeveria ne do të shkojmë normalisht në zgjedhjet lokale. Qytetarët tashmë janë të ndërgjegjshëm për të votuar, do shkojnë në zgjedhje me përjashtim të një pjese shumë-shumë të vogël që vijnë rrotull sallës së Kuvendit dhe zyrës së Kryeministrisë dhe bëjnë veprime jo të hijshme.