IBNA Intervistë me ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bedri Hoxha

IBNA Intervistë me ish-deputetin e Partisë Demokratike, Bedri Hoxha

Opozita sërish do të jetë nesër më 16 mars në protestë. Ajo vjen pas djegies së mandateve që hapi i vetëm që kishte mbetur, sepse opozita kishte kohë që nuk dukej në parlament. Për herë të parë pas 28 vitesh, është rikthyer sistemi monist në Shqipëri, pasi opozita në bllok shpalli vendimin për të dorëzuar të gjitha mandatet e deputetëve që kanë në Parlament. Tashmë situata në vend duket e tensionuar pasi ende nuk dihet se a mund të riformatohet parlamenti dhe te krijohet një opozitë e re me deputetë të listës. Aktualisht jemi afër qershorit ku priten zgjedhjet lokale por edhe hapja e negociatave për në BE situata në vend duket e nderë. Ja si shprehet për këto problematika, ish-deputeti i PD Bedri Hoxha në këtë intervistë për IBNA.

Si e komentoni djegien e mandateve dhe pse arriti deri këtu nisma e opozitës?

Ky ishte hapi i fundit që duhet të ndërmerrte opozita pas kësaj arrogance që ka sjellë në qeverisje Rama. Pra një qeveri që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, me vota të blera të bashkëpunimit me kriminelë nuk duhet ti qeverisë më shqiptarët. Aktualisht gjithë Shqipëria është në një situatë kritike, në një situatë të vështirë ekonomike. Unë që e njoh gjithë gjendjen ekonomike të qarqeve në Shqipëri them me bindje se kjo situatë nuk mund të pranohet.

Si e shihni ju në tërësinë e saj, qeverinë “Rama 2”?

Kjo qeverisje për hir të së vërtetës është e zhytur tërësisht në korrupsion. Për këto vjedhje, për prokurimet e çuditshme, nuk është në dijeni vetëm opozita por edhe shtypi edhe shoqëria shqiptare dhe e huaj. Ndaj opozita nuk mund të pranojë më këtë korrupsion i cili ka kapur çdo qelisë të ekonomisë. Me gjithë këto probleme Rama mundohet ta paraqesë situatën si shumë normale.

Mendoni se më 16 mars do ketë pjesëmarrje më të madhe se në protestat e tjera?

Mendoj se sërish do jetë një protestë e madhe, por njëkohësisht them se nuk është vetëm numri i pjesëmarrësve ai që tregon rëndësinë, mesazhin apo kërkesat e njerëzve, por është qëllimi, ideja pse zhvillohet, për blerjen e votës, korrupsionin galopant.

Në këtë situatë mendoni se do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Zgjedhje të lira me Ramën në Shqipëri nuk mund të ketë. Të gjitha këto protesta bëhen që të ikë Rama si kryeministër dhe të bëhen zgjedhje të ndershme.

Nga ana tjetër institucionet ndërkombëtare i bënë thirrje opozitës të kthehet në Parlament, mendimi juaj për thirrjen e tyre?

Së pari dua të them se ata nuk e njohin fare gjendjen në Shqipëri, ose, ose, mund të them se e njohin në mënyrë shumë empirike. Por nga ana tjetër edhe ndërkombëtarët nuk janë të imunizuar nga korrupsioni dhe mendoj se një pjesë e tyre janë të kapur. Dhe tjetra, ndërkombëtarët u kapën në befasi nga kjo lëvizje e opozitës, nuk e prisnin kurrë dhe janë të detyruar të ndjekin rrugën institucionale, e kanë për detyrë ta bëjnë thirrjen. Por edhe thirrjet e tyre janë shumë konfuze, të përgjithshme, standarde. Në thirrjet e tyre ta nuk afrojnë një zgjidhje reale, konkrete të bazuar në realitetin shqiptar. Ata mendojnë se realiteti shqiptar është si i vendeve të tyre. Shqipëria nuk ka një demokraci normale, nuk ka bërë zgjedhje normale, ka probleme të mëdha me korrupsionin. Nuk them se dhe në zgjedhjet e mëparshme nuk ka pasur probleme, por vota të blera me lekët e drogës dhe të krimit si në 2017 s’ka pasur kurrë në Shqipëri.